Zgjedhjet lokale janë pas disa muajsh dhe Sali Berisha është i gatshëm për aleancë me Arlind Qorin, i cili e refuzon, por edhe me këdo tjetër që dëshiron të rrëzojë kryeministrin Edi Rama.
Madje, kreut të Lëvizjes Bashkë i thotë të mos heqë dorë nga kundërshtimi që ka ndaj Partisë Demokratike, mjaft të arrijnë qëllimin.
Kryedemokrati thotë se nuk do të humbasin vota nëse i afrohen PD, por edhe nëse ndodh kjo, ta pranojnë për hir të interesit kombëtar.
“Të gjithë ata që e konsiderojnë narkoregjimin të keqen më të madhe të kombit tonë, unë i ftoj: bëhuni liderë, ngrihuni, mos mendoni se humbisni vota po të afroheni me PD-në. Por edhe sikur të humbisni vota, në emër të interesit kombëtar duhet ta pranoni. Jo të paktë ishin ata që më kërkonin mua të ndërmarrim protestat tona. Jo, ishte përgjigja ime e prerë.
Po pse? Po në rast se Flamingot do ta shpëtonin Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe, po ne do festonim me gjithë shpirt. Po ne jemi patriotë, ne vërtet e duam PD-në, por e duam Shqipërinë pakrahasimisht më shumë. Dhe po të shihnim ne se Shqipëria po shpëton prej këtij regjimi, ne do duartrokisnim. Ne shkuam dhe u futëm të gjithë në atë lëvizje, me mijëra e mijëra demokratë për suksesin e saj.
Ndaj dhe sot është koha e bashkimit para këtij rreziku të madh ekzistencial. Më pyesin mua, po si thua ti, edhe me Qorin do bashkohemi? Po, po me të gjithë, asnjë nuk përjashtoj unë në këtë bashkim. Jo. Dhe nuk të them ndrysho platformën tënde politike, jo, mbaje zotëri. E ke kundër PD, mbaje kundër PD, por hajde njëherë të heqim këtë të keqe, ta kërrejmë këtë të keqe të madhe”, tha Berisha.
Mesazhi i protestës: bashkimi
Kreu i PD tha se mesazhi më i madh që erdhi nga protesta ishte bashkimi i të gjithëve pa parti.
“Mesazhi më i madh i saj ishte bashkimi i shqiptarëve. Në atë lëvizje, në një mrekulli të vërtetë kombëtare, u bashkuan kundër regjimit, demokratë, socialistë, pa parti, të gjitha rrymat. Dhe në këtë aspekt, mesazhi i parë dhe më kryesor, cilido që do t’i qëndrojë besnik qytetarit, idealeve të tij, aspiratave të tij, nxjerr se mesazhi më i rëndësishëm ishte bashkimi”, u shpreh Berisha.
Burimi: shqiptarja.com










