Ilir Demaliaj është i ftuar sot në episodin e fundit të “Topin e kam unë” me Grida Dumën.
Analisti nuk i ka kursyer përplasjet me të rinjtë rreth mënyrës si i shohin zhvillimet e protestës dhe ndryshimet politike që, sipas tyre, duhet të ndodhin në vend.
Të rinjtë dhe mënyra e ndryshimit
Demaliaj: Të rinjtë janë energjia e vendit dhe ata që sjellin revolucionin në kuptimin e parë të fjalës, sepse unë jam kundër revolucioneve të dhunës. Ato që kanë pasur më shumë sukses janë revolucionet me paqe; revolucionet me dhunë kanë sjellë sisteme më të dhunshme se ato të mëparshmet. Me moshë unë e kuptoj rininë, vrullin dhe temperamentin e rinisë.
Artemisa: Prindërit dhe gjyshërit tanë kanë pasur mundësi të ndryshojnë gjithçka, por i kanë besuar vetëm dy partive. Janë gënjyer. Tani mendoj se duhet patjetër të qartësohen dhe t’i hapin sytë. Nuk e kanë kuptuar se kanë qenë të heshtur.
Anjeza: Kjo që po ndodh tani është rrjedhë e historisë dhe eksperienca e prindërve tanë vlen; le ta bëjmë bashkë ndryshimin.
Debati për 1990-ën dhe Edi Ramën
Enri: Nuk mund të themi se prindërit tanë, që rrëzuan sistemin e Enver Hoxhës, kanë gjithnjë gabim. Për ju, Demaliaj, si ka mundësi që jeni student i 1990-ës dhe mbroni Edi Ramën?
Demaliaj: Nuk u rrëzua sistemi, ky është problemi, sepse ata që krijuan frymën e re ishin pjesë e partisë së vjetër. Unë nuk mbroj njeri dhe nuk kam ardhur për këtë. Unë mbroj parimet demokratike dhe shtetin ligjor. Edi Rama ka qenë nga djemtë rebelë. Ajo që ka ndodhur në 1990 nuk ka asnjë krahasim në asnjë kontekst.
Punësimi, shkollimi dhe kredia studentore
Demaliaj: Ju flisni këtu për varfëri dhe jeni shumë të kuruar, flisni për dhunën dhe asnjë nuk duket i tillë këtu. Kur ju jeni kaq të aftë dhe ekselentë, përse kërkoni punë në shtet? E doni shtetin që ta vilni si lopa. 90% e studentëve bëjnë shkollën dhe punën njëkohësisht, dhe pasi mbarojnë shkollën paguajnë kredinë e shkollimit. Ju këtu doni shtëpi, apartament në qendër.
Enri: Ju bëni krahasim me SHBA-në, që ka program për punësimin.
Adelajda: Jeni i pari që rrini në këtë pozicion me kaq shumë mbrojtje për atë protestë. Në të gjitha faqet e punëve që ofron Shqipëria nuk ka asnjë punë part-time, asnjë punë 4-orëshe. Së dyti, financieri që bën 5 vite shkollë paguhet 600 mijë lekë të vjetra.
Demaliaj: Punë me kohë të pjesshme ka sa të duash. Ku keni parë ju që, sapo mbaron shkollën, të shkosh direkt në mirëqenie? Nëse unë vij të godas ty, çfarë do të bësh ti? Ti, Kejdi, je manipulues.
Përplasja me Kejdin
Kejdi: Më duket shumë si patronazhist dhe na nxjerr sekretet, nuk them se si do ta marrim drejtimin e vendit.
Demaliaj: Ty të kam ndjekur edhe herën e kaluar dhe më duket më keq se këta që janë.
Burimi: top-channel.tv










