Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Meloni përballë përçarjes në qeveri për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës

Meloni përballë përçarjes në qeveri për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës
Foto: ata.gov.al

ROMË, 10 nëntor /ATSH-ANSA/ – Përplasjet brenda qeverisë italiane për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës po thellohen, mes kundërshtimeve të Partisë “Lega” të Matteo Salvinit dhe qëndrimit të kryeministres Giorgia Meloni për vijimin e mbështetjes ndaj Kievit.

Paketa e 13-të e ndihmës ushtarake

Në qendër të debatit është paketa e 13-të e ndihmës ushtarake për Ukrainën, e cila pritet të përfshijë pajisje dhe materiale për mbrojtjen ajrore, në një kohë kur Kievi kërkon më shumë sisteme për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, deklaroi se Italia nuk ka raketa “Aster” të tepërta për t’ia dërguar Ukrainës, pasi ato që disponon duhet të ruhen për nevojat e veta.

“Raketat “Aster”? Kemi disa që duhet t’i mbajmë për vete, por nuk mund të zbuloj përmbajtjen e paketës së ndihmës”, u shpreh Crosetto.

Deklarata e tij vjen pas njoftimit të ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, se Gjermania nuk do të mund të dërgojë më raketa “Patriot” në Ukrainë.

Mosmarrëveshjet brenda koalicionit

Ndërkohë, brenda koalicionit qeverisës italian, janë shfaqur mosmarrëveshje për vazhdimin e ndihmës ushtarake.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transporteve, Matteo Salvini, ka shprehur rezerva për dërgimin e mëtejshëm të armëve në Kiev, ndërsa përfaqësues të partisë së tij kanë kërkuar të njihen me përmbajtjen e paketës së re.

Debati u shtua edhe nga mungesa e nënshkrimit së ministrit të Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, në dekretin për ndihmën e re.

Kjo shkaktoi pakënaqësi brenda shumicës qeverisëse, megjithatë Meloni hodhi poshtë mundësinë e një përplasjeje politike.

“Nuk ka asnjë çështje lidhur me mungesën e firmës. Bëhet fjalë për një pamundësi të përkohshme fizike, pasi ministri ndodhej jashtë Romës”, deklaroi Meloni, duke shtuar se Giorgetti do ta firmosë dokumentin pas kthimit në kryeqytet.

Kryeministrja theksoi se shumica qeverisëse ka arritur gjithmonë të gjejë një qëndrim të përbashkët, pavarësisht dallimeve mes forcave politike, dhe se nuk pret ndryshim të pozicionit të Italisë ndaj Ukrainës.

Angazhimet e Italisë ndaj Kievit

Nga ana e tij, Crosetto kujtoi se ky është paketi i 13-të i ndihmës për Kievin. Pesë paketat e para u miratuan nga qeveria e mëparshme, ndërsa tetë të tjerat nga kabineti aktual.

“Deri tani të gjithë i kanë qëndruar besnikë angazhimit të marrë në një periudhë tjetër politike. Nuk shoh arsye për të ndaluar tani”, deklaroi ministri i Mbrojtjes.

Sipas tij, Italia do të vazhdojë të respektojë angazhimet e marra ndaj aleatëve evropianë, NATO-s dhe Ukrainës.

Paketa e re e ndihmës është objekt i një procedure të posaçme, pasi përmbajtja e saj klasifikohet si sekret.

Ministri Crosetto e paraqiti atë para Komitetit Parlamentar për Sigurinë e Republikës (Copasir), organi që mbikëqyr veprimtarinë e shërbimeve të inteligjencës italiane.

Përplasjet e fundit tregojnë vështirësitë e qeverisë Meloni për të ruajtur një qëndrim të përbashkët mbi ndihmën ushtarake për Ukrainën, ndërsa lufta dhe nevojat e Kievit për mbrojtjen ajrore vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi aleatët evropianë. //a.i/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha