Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

QKK emëron tri juritë për konkursin e filmit 2026

QKK emëron tri juritë për konkursin e filmit 2026
Foto: kultplus.com

Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) ka emëruar tri juri vlerësuese që do të shqyrtojnë dhe vlerësojnë projektet e paraqitura në kuadër të thirrjes së hapur për subvencionimin e projekteve filmike për vitin 2026.

Juria e parë: filma artistikë dhe bashkëprodhime

Juria e parë përbëhet nga Bogdan Muresanu, Ibër Deari, Carmen Gray, Rowan E. Cassidy dhe Fejmi Daut. Kjo juri do të vlerësojë projektet për film të metrazhit të gjatë artistik, filmin e metrazhit të gjatë me buxhet të ulët dhe atë avant-gardë/eksperimental, bashkëprodhimet minoritare për filma të gjatë artistikë e dokumentarë dhe filma të shkurtër artistikë, dokumentarë e të animuar, si dhe projektet për post-produksion të filmave të gjatë artistikë dhe dokumentarë.

Juria e dytë: dokumentarë dhe skenarë

Juria e dytë përbëhet nga Doruntina Kastrati, Hanis Bagashov, Driant Zeneli, Valmira Hyseni dhe Veton Nurkollari. Ajo do të shqyrtojë projektet për filma të gjatë dokumentarë, filma të shkurtër dokumentarë, mbështetjen për shkrimin e skenarëve të filmave të gjatë artistikë dhe filmat e shkurtër të bazuar në materiale arkivore.

Juria e tretë: seriale, filma të shkurtër dhe zhvillim projektesh

Ndërkaq, juria e tretë, e përbërë nga Milot Hoxha, Arta Dobroshi, Yll Çitaku, Alush Gashi dhe Arba Hatashi, do të vlerësojë aplikimet për shkrimin e skenarëve të serialeve televizive, filma të shkurtër artistikë, zhvillimin e projekteve për filma të gjatë artistikë, dokumentarë e të animuar, filma të shkurtër studentorë dhe filma të shkurtër të animuar.

Me emërimin e këtyre tri jurive, QKK ka përcaktuar përbërjen e trupave profesionale që do të vlerësojnë aplikimet në kategoritë përkatëse të konkursit të këtij viti./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha