Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Rita Augestad-Knudsen, ka marrë pjesë në darkën e shtruar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, në Pallatin Élysée në Paris.
Darka u organizua për liderët dhe personalitetet që po marrin pjesë në Forumin e Paqes në Paris.
Për pjesëmarrjen në këtë pritje, Kurti shprehu mirënjohjen për ftesën e presidentit francez dhe të Zonjës së Parë përmes një postimi në Facebook.
“Bashkë me Ritën ishim të nderuar të marrim pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë Brigitte Macron, në Pallatin Élysée, në kuadër të Forumit të Paqes në Paris”, shkroi Kurti.
Takimet e kryeministrit në Paris
Gjatë vizitës në Francë, kryeministri zhvilloi edhe disa takime të nivelit të lartë. Ai u takua me presidentin e Senatit francez, Gérard Larcher, me të cilin diskutoi marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimin ekonomik dhe aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Kurti pati takim edhe me kryetarin e Parisit, Emmanuel Grégoire. Në fokus të bisedimeve ishin bashkëpunimi në fushën e banimit të përballueshëm dhe social, si dhe forcimi i lidhjeve kulturore mes Kosovës dhe kryeqytetit francez.
Para hapjes së Forumit të Paqes, Kurti u takua edhe me disa personalitete franceze që kanë kontribuar në çështjen e Kosovës, përfshirë ish-ministrin e Mbrojtjes, Alain Richard, si dhe përfaqësues nga fusha e akademisë, kulturës dhe drejtësisë ndërkombëtare.
Në këto takime u diskutua për zhvillimet demokratike, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, si dhe për vendimin e 16 shtatorit të Gjykatës Speciale dhe përpjekjet për ndryshimin e tij në procedurën e apelit.
Fjalimi në Forumin e Paqes
Në kuadër të Forumit të Paqes, Kurti mori pjesë në panelin “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”, ku foli për demokracinë, zhvillimin ekonomik dhe social, arsimin dhe rëndësinë e investimeve në infrastrukturë.
Burimi: insajderi.org









