Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Bushati: PD me mentalitet të mykur, rrezikon zhdukjen nëse del vetëm

Bushati: PD me mentalitet të mykur, rrezikon zhdukjen nëse del vetëm
Foto: albeu.com

Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, deklaroi se PD nuk po e kupton ende atë që ka ndodhur në shoqërinë shqiptare që nga fillimi i protestave të flamingove. Sipas tij, ideja për të nxjerrë si kandidat për Tiranën një figurë si Alimehmeti tregon mykjen që, sipas tij, ka kjo parti.

Bushati tha se nëse PD nxjerr kandidatë nga brenda saj, nuk ka asnjë shans dhe rrezikon të shuhet, ashtu si opozitat në Hungari dhe në Serbi.

Një keqkuptim i madh

“Mendoj se PD tregon një keqkuptim të madh, sepse nuk ka kuptuar fare se çfarë po ndodh në Shqipëri këto 6 muaj. Hidhet emri i një doktori të respektuar, Alimehmeti. Dhe në mentalitetin e mykur të PD-së, duket sikur PD po hapet vetëm te të moderuarit e vet, sikur po i bën nder shoqërisë. Sot të moderuarit e PD-së duken të papranueshëm për shoqërinë, e cila e ka tejkaluar opozitën e vjetër me revolucionin e flamingove.

Pra, që PD të mos jetë me mendësinë e mykur të fillimit të revolucionit të flamingove, kur thoshte se protestuesit janë sorosistë që duan të pengojnë investimin më të madh në Shqipëri, PD nuk duhet të hapet te doktor Alimehmeti, por duhet të propozojë figura të protestës. Ka plotë mjekë, inxhinierë, njerëz që i kanë prirë protestave dhe demonstratave. Nëse PD nuk do të dijë të hapet ndaj zhvillimit që shoqëria ka prodhuar, rrezikon të përfundojë si opozita e Orbanit në Hungari apo e Vuçiç në Serbi, që u asgjësuan fare.

Rasti Binaj

Binaj është në të drejtën e vet të kandidojë. Nuk kisha ndonjë simpati të madhe edhe kur kandidoi, por mendoj se në një situatë siç mund të ndodhë deri më 9 maj, edhe Binaj mund të dalë përpara kandidatit të PD, nëse PD mbetet e mbyllur brenda kullës së saj.

Çfarë duhet të bëjë PD

Unë nuk them që të marrin dikë nga protesta, sepse protestat nuk janë si plenumet e studentëve në Serbi. Por nëse PD, e cila e ka shumë të vështirë, nxjerr si ikonë të fushatës së vet dikë që ka identitetin e njerëzve të protestës, dikë që qytetarët e shohin si të ngjashmin e tyre dhe jo të ngjashmin e pushtetit të vjetër, kjo mund të sjellë një ndryshim. Kjo kërkon nga PD që të mos çojë atje një njeri që nesër do t’i bindet Saliut dhe Flamurit. Vetëm nëse PD është gati të bëjë këtë vetësakrificë mund të ketë një lloj suksesi. Përndryshe do ta ketë fatin e opozitave në Serbi dhe Hungari.

Nëse PD thotë se do të vetësakrifikohet dhe nuk do të vendosë kandidat me tesera partie, do të marrë njerëz nga ky revolucion, vetëm kjo mund ta bëjë të pranueshëm për qytetarët”, deklaroi Bushati.

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha