Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Buxheti 2027, Koçiu: TVSH e ulët për shportën dhe karburantin

Buxheti 2027, Koçiu: TVSH e ulët për shportën dhe karburantin
Foto: euronews.al

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka prezantuar nëpërmjet një video-mesazhi në Facebook, nga Kuvendi, pikat kryesore të buxhetit për vitin 2027, i cili kap vlerën e 10 miliardë eurove.

Masat kryesore për qytetarët

Sipas saj, ky buxhet synon ta përkthejë rritjen ekonomike në lehtësira konkrete për qytetarët. Parashikohet ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte të shportës, si dhe ulja me 32 lekë për litër të çmimit të karburantit përmes ndryshimit të taksës së qarkullimit.

Sakaq, Koçiu thekson se projektbuxheti përfshin gjithashtu rritjen e pensioneve, uljen e tatimit mbi pagën për shtresën e mesme, mbështetje mujore për fëmijët deri në moshën 5-vjeçare, lehtësi strehimi për çiftet e reja dhe rritje të bursave për studentët në nevojë.

Mesazhi i zëvendëskryeministres

“Që mos t’u marrë kohën kolegëve dhe meqënëse pasqyrat që mbajmë në duar na japin mundësinë për këtë komunikim, doja të ndaja drejtpërdrejt me qytetarët thelbin e këtij buxheti historik. Shqipëria ka fituar një fuqi të re ekonomike. Por kjo fuqi nuk matet vetëm me shifra, investime apo me zhvillimin e përditshëm. Ajo matet mbi të gjitha me ndryshimet që sjell në jetën e përditshme të njerëzve. Ne e dimë se rritja ekonomike nuk ndihet njësoj në çdo familje. Rriten pagat, por rriten edhe çmimet. Shtohen të ardhurat, por edhe nevoja dhe pritshmëritë e njerëzve. Një nënë që shkon në treg për të mbushur shportën e familjes. Një pensionist që llogarit çdo lekë për ushqimet dhe ilaçet. Apo një çift i ri që dëshiron të blejë shtëpinë e tij. Nuk e matin ekonominë me statistika, por me mundësinë për të jetuar më mirë.

Buxheti dhe njerëzit

E pikërisht për këtë arsye, buxheti i vitit 2027, me një vlerë historike prej 10 miliardë eurosh, vendos në qendër njerëzit dhe familjet shqiptare. Kjo do të thotë: më pak shpenzime për produktet bazë me uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produktet e shportës, 32 lekë më pak për litër karburant në pompë, përmes ndryshimit të taksës së qarkullimit. Rritje më e madhe për pensionistët, më pak tatim mbi pagën për shtresat e mesme, mbështetje mujore për bebet gjatë pesë viteve të para, më shumë mundësi strehimi për familjet e reja dhe bursa më të larta për studentët në nevojë.

Sepse nuk mjafton që ekonomia të rritet, ajo duhet të përkthehet në më shumë siguri, më shumë mundësi dhe më shumë mirëqenie për qytetarët. Dhe kjo është Shqipëria europiane që duam të ndërtojmë, një vend më i zhvilluar, ku çdo familje ka më shumë siguri për të sotmen dhe më shumë besim tek e ardhmja”, është shprehur Koçiu.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha