Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Rregulla të reja për muzetë dhe monumentet, grante edhe për pronarët privatë

Rregulla të reja për muzetë dhe monumentet, grante edhe për pronarët privatë
Foto: kultplus.com

Muzetë, monumentet e kulturës dhe objektet e tjera të trashëgimisë kulturore në vend do të kenë rregulla të reja për administrimin, mirëmbajtjen dhe restaurimin e tyre.

Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, synon forcimin e mekanizmave për mbrojtjen, ruajtjen dhe administrimin e pasurive kulturore. Qëllimi është përafrimi i kuadrit ligjor me standardet ndërkombëtare dhe me detyrimet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Vlerësimi i ndikimit dhe procedurat e reja

Një nga risitë kryesore është përfshirja e instrumentit të Vlerësimit të Ndikimit në Trashëgimi (VNT). Ky vlerësim do të shërbejë për të analizuar ndikimin e planeve, programeve, projekteve dhe ndërhyrjeve mbi pasuritë kulturore dhe vlerat e mbrojtura.

Sipas projektligjit, ndryshimet synojnë të përmirësojnë procedurat për identifikimin, verifikimin, shpalljen dhe regjistrimin e pasurive kulturore. Përgjegjësitë institucionale, afatet dhe mënyra e vlerësimit do të përcaktohen më qartë.

Projektligji synon modernizimin e kuadrit ligjor në fushën e trashëgimisë kulturore, në funksion të mbrojtjes, ruajtjes, administrimit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të pasurive kulturore materiale dhe jomateriale.

Ndërhyrjet në pasuritë e paluajtshme

Sipas relacionit shoqërues, “projektligji rregullon në mënyrë më të plotë ndërhyrjet në pasuritë kulturore të paluajtshme, duke përcaktuar procedura të veçanta për mirëmbajtjen, masat urgjente, ndërhyrjet ruajtëse, restaurimin, ndryshimin e destinacionit dhe përshtatjen funksionale të tyre. Në këtë kuadër, krijohen mekanizma që mundësojnë integrimin e pasurive kulturore në procese zhvillimi, duke garantuar ruajtjen e autenticitetit, integritetit dhe vlerave kulturore që ato mbartin”.

Mbështetja financiare për pronarët privatë

Një tjetër risi është krijimi i mundësive për mbështetje financiare të pasurive të trashëgimisë kulturore që nuk janë në pronësi publike. Kjo mbështetje mund të jepet përmes granteve, bashkëfinancimit ose kontributeve në natyrë, për shpenzime që lidhen me dokumentimin, studimet, projektimin, punimet, mbikëqyrjen dhe certifikimin e ndërhyrjeve.

Projektligji forcon gjithashtu mekanizmat e financimit dhe mbështetjes së pronarëve dhe administruesve të pasurive kulturore. Përmirësohen edhe dispozitat për importin, eksportin, qarkullimin dhe kthimin e pasurive kulturore të larguara në mënyrë të paligjshme, në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare.

Muzetë dhe Drejtoritë Rajonale

Ndryshime parashikohen edhe në administrimin e muzeve dhe koleksioneve, përmes përafrimit të përkufizimit të muzeut me standardet e Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve.

Një tjetër ndryshim lidhet me forcimin e rolit të Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore. Këto institucione do të ushtrojnë funksione teknike dhe administrative për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e trashëgimisë kulturore materiale në territorin e tyre./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha