Gjashtë gravura të artistit të njohur spanjoll Pablo Picasso, të vjedhura nga një restorant pranë qytetit të Kanës në Francë, janë rikthyer pas një hetimi policor që zgjati rreth një muaj.
Veprat e artit u vodhën më 1 tetor nga restoranti “L’Amandier”, në Mougins, në orët e para të mëngjesit. Sipas hetuesve, dy persona të maskuar hynë në lokal përmes një dere franceze dhe, për më pak se një minutë, shkuan në dhomën e dedikuar Pikassos, hoqën gravurat nga muret dhe u larguan. Një person i tretë dyshohet se i priste në një automjet pranë restorantit.
Zbulimi dhe hetimi
Vjedhjen e zbuloi pronari i lokalit, i cili është koleksionist arti, mëngjesin e po asaj dite. Pas disa javësh vëzhgimi dhe përgjimi telefonik, rreth 40 xhandarë francezë kryen kontrolle në dy apartamente në Rivierën Franceze, ku gjetën veprat e fshehura nën rroba dhe kuti veglash në një dhomë gjumi.
Gravurat, vlera e të cilave vlerësohet në më shumë se 100 mijë euro, u gjetën të paprekura. Në kuadër të operacionit janë arrestuar shtatë persona, të moshës nga 18 deri në 30 vjeç. Hetuesit dyshojnë se grupi përfshinte autorët e vjedhjes, personat që merreshin me fshehjen dhe bartjen e veprave, si dhe bashkëpunëtorë që kishin ofruar mbështetje logjistike.
Deklaratat e autoriteteve
Nënkoloneli Guillaume Plaidy, komandant i xhandarmërisë së Kanës, tha se autoritetet e dinin se koha për të ndërhyrë ishte e kufizuar, pasi vepra të tilla rrezikojnë të shiten në mënyrë të paligjshme dhe të zhduken nga qarkullimi i tregut të artit.
Ai shtoi se të dyshuarit nuk ishin specialistë të tregut të artit dhe se, sipas hetimeve, kishin vepruar në mënyrë oportuniste. Ata njiheshin më shumë për vepra penale që lidhen me drogën dhe armët, ndërsa nuk kishin kontaktet e nevojshme për t’i shitur shpejt veprat e vjedhura.
#CriminalitéOrganisée 🖼️ Après un mois d’investigations, les enquêteurs de #Cannes parviennent à retrouver six gravures originales de Pablo Picasso dérobées un mois plus tôt dans un établissement de Mougins.
➡️ 7 individus interpellés ⚖️ https://t.co/1gUvhlrfpg— Gendarmerie nationale (@Gendarmerie) November 5, 2026
Leisa Paoli, drejtoreshë e përgjithshme e muzeut FAMM në Mougins, shprehu kënaqësinë për rikuperimin e gravurave, duke pranuar se kishte frikë se ato mund të ishin larguar tashmë nga Franca.
Ndërkaq, menaxheri i restorantit, Matthieu Autant, tha se për një muaj nuk kishte mundur të flinte i qetë dhe se rasti mund t’i shtyjë ata të rishikojnë masat e sigurisë në lokal.
Kontekst më i gjerë
Vjedhja vjen në një kohë kur Franca po përballet me shqetësime të shtuara për sigurinë e veprave të artit. Më herët gjatë këtij viti, autoritetet rikuperuan edhe dy piktura të Pierre-Auguste Renoir, të vjedhura nga një muze në Cagnes-sur-Mer.
Mougins është fshati ku Pablo Picasso kaloi vitet e fundit të jetës, deri në vdekjen e tij më 1973./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com










