Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Autori fiton çmimin letrar francez dhe pranon përdorimin e ChatGPT

Autori fiton çmimin letrar francez dhe pranon përdorimin e ChatGPT
Foto: kultplus.com

Shkrimtari francez Philippe Jaenada ka fituar çmimin prestigjioz letrar Prix Goncourt 2026, ndonëse ka pranuar se gjatë procesit të shkrimit të romanit të tij ka përdorur inteligjencën artificiale (AI), duke nxitur debat të ri mbi ndikimin e teknologjisë në letërsi.

Jaenada u shpall fitues më 3 nëntor për romanin “L’Inconnue du quai de Javel” (E panjohura e kalatës së Javelit), një vepër që trajton hetimin e vrasjes së pazbardhur të një gruaje të re në Parisin e pasluftës.

Përdorimi i inteligjencës artificiale gjatë punës

Shkrimtari 62-vjeçar ka treguar se e ka përdorur inteligjencën artificiale në tri raste gjatë punës për librin. Në njërin prej tyre, ka përfshirë një fjali të shkruar nga ChatGPT, me qëllim që të luante me lexuesin. Në një rast tjetër, e ka përdorur teknologjinë për të ironizuar përgjigjet absurde që ajo jep për çështje teknike, ndërsa gjithashtu i është drejtuar për kërkime gjatë punës hulumtuese.

Jaenada tha se nuk mund të sillemi sikur inteligjenca artificiale nuk ekziston, por duhet ta njohim, ta përdorim dhe të mësojmë ta kontrollojmë, pa lejuar që ajo të na zëvendësojë. Ai theksoi se teknologjia nuk mund ta zëvendësojë përvojën njerëzore, kujtesën, shpirtin dhe këndvështrimin individual të një shkrimtari.

Polemika rreth çmimit Goncourt

Fituesi i këtij viti vjen në një moment kur çmimi Goncourt është përfshirë në një polemikë të madhe rreth përdorimit të AI-së në letërsi. Shkrimtari haitiano-kanadez Thélyson Orélien, i cili fillimisht konsiderohej një nga favoritët për çmimin me romanin “C’était ça ou mourir”, u përjashtua nga përzgjedhja pas dyshimeve se vepra e tij ishte shkruar kryesisht me inteligjencë artificiale. Autori i ka mohuar akuzat për përdorimin e saj në shkrimin e romanit.

Kjo polemikë ka nxitur diskutime në botën botuese franceze për kufijtë e përdorimit të inteligjencës artificiale dhe nevojën për të mbrojtur krijimtarinë njerëzore. Akademia Goncourt ka paralajmëruar gjithashtu ndryshimin e rregullave të saj, në mënyrë që të përcaktohet qartë se çmimi u kushtohet veprave të shkruara nga njerëzit.

Jaenada, i njohur për romanet e tij investigative të bazuara në ngjarje dhe krime të pazbardhura, pason Laurent Mauvignier, fituesin e çmimit të vitit 2025./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha