Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Trilogji kosovare premierohet më 7 nëntor në Prizren

Trilogji kosovare premierohet më 7 nëntor në Prizren
Foto: kultplus.com

Qendra Multimedia dhe Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren sjellin premierën e shfaqjes “Trilogji kosovare në dy pjesë”, me regji të Blerta Nezirajt dhe tekst të Jeton Nezirajt. Shfaqja do të prezantohet më 7 nëntor 2026, në orën 20:00, në kuadër të edicionit special të Kosovo Theatre Showcase 2026.

E konceptuar si komedi teatrore, shfaqja përdor absurditetin, satirën dhe humorin për të shqyrtuar marrëdhënien e Kosovës me Evropën. Ajo vë në pikëpyetje idealizimin e Evropës dhe kontradiktat ndërmjet vlerave që ajo shpall dhe realitetit politik e shoqëror.

Një qasje kritike ndaj hierarkive dhe përjashtimit

Përmes kësaj qasjeje kritike, vepra trajton hierarkitë, përjashtimin dhe përpjekjet për njohje, vlerësim dhe dukshmëri. Këto çështje shtjellohen jo vetëm në raportin ndërmjet Kosovës dhe Evropës, por edhe brenda vetë skenës teatrore evropiane.

Interpretët, muzika dhe ekipi krijues

Në shfaqje interpretojnë Adrian Morina, Semira Latifi, Ernest Malazogu dhe Shpetim Selmani, ndërsa pjesën muzikore e realizojnë këngëtarët Neil Ruçi, Çune Basho dhe Agim Ramaj. Muzika është kompozuar nga Gabriele Marangoni, koreografia është realizuar nga Christina Fulcher, ndërsa dizajni dhe konceptimi i videove mbajnë firmën e Yannick Donet.

“Trilogji kosovare në dy pjesë” është bashkëprodhim i Qendrës Multimedia dhe Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren.

Premiera në kuadër të Kosovo Theatre Showcase 2026

Premiera vjen në kuadër të Kosovo Theatre Showcase 2026, i cili mbahet nga 6 deri më 8 nëntor në Prizren, me temën “[DE]KONTAMINIMI I SË VËRTETËS: A mund ta pajtojë teatri kontradiktën mes të vërtetave? Nëse po, me çfarë kostoje?”./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha