Fotografi i njohur gjerman August Sander, i konsideruar si një prej emrave më ndikues të fotografisë dokumentare dhe portretit, do të shënonte 150-vjetorin e lindjes më 17 nëntor. Me këtë rast, në Këln është hapur një ekspozitë jubilare që sjell në vëmendje edhe aspekte më pak të njohura të krijimtarisë së tij.
Ekspozita, e titulluar “August Sander – Zum 150. Geburtstag”, organizohet nga Stiftung Kultur der Sparkasse KölnBonn, institucioni që administron dhe studion trashëgiminë e fotografit që nga viti 1992. Ajo do të jetë e hapur deri më 24 janar 2027.
Lidhjet me skenën artistike të Këlnit
Ndryshe nga një retrospektivë tradicionale, ekspozita nuk përqendrohet vetëm te portretet më të njohura të Sanderit, por eksploron lidhjet e tij me skenën artistike të Këlnit gjatë viteve 1920 dhe 1930, veçanërisht me grupin artistik “Kölner Progressive”.
Anëtarët e këtij grupi, të ndikuar nga lëvizja Dada, synonin ta orientonin artin drejt çështjeve politike dhe shoqërore. Sander bashkëpunoi me ta përmes njohurive të tij në riprodhimin fotografik të veprave të artit. Në ekspozitë prezantohen riprodhime të pikturave të artistëve të grupit, disa prej origjinaleve të të cilave tashmë kanë humbur, si dhe punime të vetë fotografit, përfshirë kolazhe të frymëzuara nga estetika Dada.
Festat dhe karnavalet e Këlnit
Një pjesë e veçantë e ekspozitës i kushtohet gjithashtu festave artistike dhe atmosferës së karnavaleve në Këln gjatë viteve 1920 dhe fillimit të viteve 1930. Fotografitë e tij dokumentojnë jo vetëm festimet tradicionale, por edhe tubimet më intime dhe alternative, ku artistët eksperimentonin me maskime, ekzagjerime dhe shprehje të lira.
Në pjesën e fundit të ekspozitës paraqiten fotografi më pak të njohura të Këlnit të shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe pamje dokumentare nga studioja dhe hapësirat e punës së Sanderit në rrugën Dürener Straße.
Projekti “Njerëzit e shekullit XX”
August Sander, i lindur më 1876 në një familje minatorësh, u bë i njohur veçanërisht për projektin fotografik “Menschen des 20. Jahrhunderts” (Njerëzit e shekullit XX), një përmbledhje portretesh që dokumentonte shtresa dhe profesione të ndryshme të shoqërisë gjermane.
Gjatë regjimit nazist, libri i tij fotografik “Antlitz der Zeit” u ndalua, ndërsa djali i tij, Erich Sander, fotograf dhe pjesëtar i rezistencës socialiste, vdiq në burg. Gjatë bombardimeve të Këlnit, fotografi humbi studion dhe rreth 30 mijë negativë fotografikë.
August Sander vdiq më 1957, në moshën 81-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi që vazhdon të ndikojë në fotografinë dokumentare dhe mënyrën se si përmes portretit mund të ruhet kujtesa e një epoke./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com










