Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Integrimi i traditave kulturore në shëndetin publik

Integrimi i traditave kulturore në shëndetin publik
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 16 nëntor /ATSH/ Vallet popullore shqiptare mund të bëhen një mjet i rëndësishëm për promovimin e aktivitetit fizik, parandalimin e sëmundjeve kronike dhe përmirësimin e shëndetit publik. Ato bashkojnë natyrshëm traditën kulturore me mirëqenien fizike dhe mendore.

Konferenca shkencore

Kjo ide qëndroi në qendër të konferencës shkencore ndërkombëtare me temën “Promovimi i shëndetit dhe traditat kombëtare: Rasti i valleve popullore shqiptare si formë e aktivitetit fizik”. Konferenca u zhvillua sot nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), me mbështetjen e projektit “Public Health Resonance”.

Mendimet e pjesëmarrësve

Kryetari i Komisionit të Përhershëm të Mjekësisë pranë Akademisë së Shkencave, akad. Genc Sulçebe, theksoi rëndësinë e aktivitetit fizik në parandalimin e sëmundjeve. Ai tha se mënyra moderne e jetesës, qëndrimi i gjatë përpara kompjuterit dhe përdorimi i shpeshtë i automjeteve kanë kufizuar ndjeshëm lëvizjen e përditshme. Sulçebe vlerësoi promovimin e aktivitetit fizik përmes valleve si një qasje me potencial për shëndetin publik, sidomos kur ndërthuren përvoja të vallëzimit tradicional nga kultura të ndryshme.

Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, tha se vallet popullore shqiptare kanë një vlerë të dyfishtë: janë trashëgimi kulturore dhe njëkohësisht formë e natyrshme e aktivitetit fizik, që nxit ndërveprimin shoqëror dhe kontribuon në mirëqenien individuale e kolektive. Ajo u ndal te pasiviteti fizik i fëmijëve dhe i të rinjve, i ndikuar nga përdorimi i gjerë i teknologjisë dhe qëndrimi i zgjatur përpara ekraneve. Tomini nënvizoi nevojën për të integruar traditat kulturore në politikat bashkëkohore të shëndetit publik, përmes programeve konkrete në shkolla dhe komunitete.

Drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ardita Baraku, vlerësoi se vallet tradicionale janë një mënyrë e thjeshtë dhe me kosto të ulët për promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve kronike, përmirësimin e shëndetit mendor dhe forcimin e lidhjeve shoqërore.

Përfaqësuesi i OBSH-së në Shqipëri, Fabio Scano, theksoi rëndësinë e aktiviteteve fizike që shoqërohen me kënaqësi dhe motivim të brendshëm, sepse kanë më shumë gjasa të kthehen në zakone të qëndrueshme jetese.

Sesionet shkencore dhe përvojat ndërkombëtare

Konferenca zhvilloi punimet në dy sesione shkencore. Ato trajtuan ndikimin e aktivitetit fizik në shëndet, dimensionet sociale dhe kulturore të tij, monitorimin e sjelljeve shëndetësore te fëmijët dhe politikat për promovimin e lëvizjes në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua valleve popullore shqiptare, përvojës së vallëzimit tradicional Hula në Havai, kategorizimit etnografik të valleve, lojërave popullore dhe performancës fizike te fëmijët. Në diskutime u përfshi edhe “K’cimi i Tropojës”, si një nga elementet përfaqësuese të trashëgimisë sonë kulturore. Përvojat ndërkombëtare nga SHBA-ja, Kosova dhe Brazili sollën modele të ndryshme të promovimit të aktivitetit fizik, sidomos në mjediset shkollore.

Propozimet për veprim

Në përfundim, pjesëmarrësit nënvizuan nevojën për ta kthyer këtë qasje në nisma konkrete. Ata propozuan integrimin e valleve popullore në kurrikulën e edukimit fizik në shkolla, organizimin e aktiviteteve komunitare për të gjitha grupmoshat dhe zhvillimin e kërkimeve shkencore për matjen e shpenzimit energjetik (MET) gjatë realizimit të valleve të ndryshme rajonale.

Kështu, trashëgimia e pasur e valleve shqiptare shihet jo vetëm si pasuri për t’u ruajtur dhe përcjellë ndër breza, por edhe si mundësi për të ndërtuar një kulturë më aktive dhe më të shëndetshme jetese.

/e.xh/r.e/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha