Policia e Vlorës ka zbardhur detaje të reja mbi aksidentin e rëndë që ndodhi në autostradën “100 Vjetori”, në drejtimin Fier–Vlorë, ku humbi jetën Ermal Lulaj, shef i Krimeve të Rënda në Komisariatin e Vlorës.
Si ndodhi aksidenti
Sipas njoftimit zyrtar, automjeti tip “Toyota”, që drejtohej nga oficeri i policisë, dyshohet se u përplas me një mjet të tonazhit të rëndë, tip skrep, i cili drejtohej nga një 63-vjeçar me inicialet Th. P. Autoritetet e lidhin ngjarjen me motin e keq dhe humbjen e kontrollit mbi automjetin.
Përplasja ndodhi rreth orës 18:00. Lulaj ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa drejtuesi i skrepit mbeti i plagosur dhe u transportua në spital për ndihmë mjekësore.
Hetimi
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të sqaruar rrethanat e plota dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit.
Burimi: lajmifundit.al










