Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, i ftuar këtë të hënë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania, foli për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës. Sipas deputetit socialist, propozimi i kryetarit të partisë, Edi Rama, ishte që ata të mos mbajnë pozicione drejtuese.
Dallimi mes përjashtimit dhe heqjes nga pozicionet
Ndërsa për fatin e tyre në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, Bido theksoi se kjo është një procedurë më vete, ende e hapur, e cila pritet të shqyrtohet në ditët në vijim.
“Organet drejtuese të partisë janë Kryesia e Partisë, Asambleja Parlamentare deri në organizatën socialiste që është në nivelin bazë. Pra funksionarë të caktuar kanë të drejtë të marrin pjesë ose të mos marrin pjesë në këto organe.
Në rastin konkret, kryeministri, kryetari i partisë socialiste, propozoi që zonja Elisa Spiropali dhe zoti Plarent Ndreca të mos jenë në këto pozicione drejtuese. Kjo për të qartësuar në radhë të parë termin përjashtim, se nuk ka pasur përjashtim. Përjashtimi është tjetër nocion, është çregjistrim nga partia, është mosqenia më anëtar i Partisë Socialiste.
Procedura në Grupin Parlamentar
Sa i përket grupit parlamentar, është procedurë më vete, ku kryetari i grupit parlamentar do të duhet t’i dërgojë një shkresë kryetarit të Kuvendit, që përcakton se x deputet nuk është më deputet i Partisë Socialiste. Kjo është për t’u parë ditën në vijim.
Kjo është një vendimmarrje e cila i takon ditëve në vijim Kryesisë së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste”, tha Bido.
Burimi: euronews.al










