TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Galeria Kombëtare e Arteve po i nënshtrohet një procesi transformimi të plotë, me fokus modernizimin e hapësirave dhe krijimin e kushteve bashkëkohore për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë artistike.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga ky kantier ku po vijon puna për transformimin e plotë të hapësirave, si dhe për zgjerimin e hapësirave ekspozuese dhe të ambienteve të ruajtjes.
Përmirësimi i infrastrukturës
Ndërhyrja synon përmirësimin e infrastrukturës së institucionit dhe krijimin e kushteve më të përshtatshme për ruajtjen, konservimin, restaurimin dhe ekspozimin e koleksioneve të artit shqiptar.
Transformimi i Galerisë përfshin forcimin e kapaciteteve për restaurimin dhe konservimin e veprave të artit, pasurimin e koleksionit si dhe zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare.
Roli i institucionit
Galeria Kombëtare e Arteve mbetet një nga institucionet më të rëndësishme të trashëgimisë dhe kulturës, duke luajtur një rol kyç në ruajtjen, promovimin dhe prezantimin e artit pamor kombëtar.
Përmes ekspozitave, aktiviteteve kulturore dhe koleksioneve të saj synohet të përcjillen vlerat artistike të krijimtarisë shqiptare ndër breza, si dhe forcimi i dialogut mes artit vendas dhe atij ndërkombëtar.





/m.m/j.p/
Burimi: ata.gov.al










