Aktorja kosovare Pinea Matoshi është vlerësuar me çmimin “Young Actors Award 2026” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mannheim-Heidelberg në Gjermani, në edicionin e 75-të të festivalit.
Çmimi i është dhënë për interpretimin e saj në filmin “Dua”, të regjisores Blerta Basholli, ku Matoshi luan rolin kryesor. Për aktoren, ky projekt shënon edhe debutimin e saj në kinematografi.
Vlerësimi i jurisë
Juria ndërkombëtare e ka veçuar natyrshmërinë dhe bindshmërinë e interpretimit të saj, duke theksuar se është e vështirë të besohet që ky është roli i saj i parë në film.
Përmbajtja e filmit
Ngjarjet e filmit zhvillohen në Prishtinë, në fund të viteve 1990, dhe ndjekin historinë e një vajze 13-vjeçare. Përmes saj trajtohen tema si frika, pasiguria, miqësia dhe qëndresa në prag të luftës në Kosovë.
Filmi është realizuar nga Blerta Basholli, me Valon Bajgoran si producent dhe Nicole Borgeat si bashkëskenariste./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










