Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kulturë

E bija e hënës dhe e diellit

E bija e hënës dhe e diellit

Nga libri i Mitrush Kutelit “Tregime të Moçme Shqiptare”.

Premtimi i djalit

Një nënë kishte një djalë, të vetmin që e kishte. E donte me gjithë shpirt. Djali shkonte për gjah. Nëna e këshilloi: “Bir, bir, gjuaj në gjithë malet, por në malin e kuçedrës mos gjuaj kurrë. Se kuçedra është shumë e keqe, bir, të ha e të përpin. Atje kanë shkuar shumë trima dhe nuk janë kthyer më…” Djali nuk e dëgjoi nënën, por dëgjoi vajzën e zemrës. Ajo i tha: “Trim, nëse më do mua, mos gjuaj në asnjë mal, vetëm në malin e kuçedrës gjuaj!” Trimi e donte shumë vajzën e bukur dhe nuk ia shkelte kurrë fjalën. Kështu, u ngrit dhe shkoi të gjente në malin e kuçedrës. Sapo u ngjit atje lart, toka filloi të lëkundej, me gjithë gurë e drurë.

Atij i doli përpara kuçedra e madhe me shtatë krerë e shtatë brirë, me sytë si pishtarë të ndezur, me gojën sa një shpellë, me flatra në kurriz si krahët e lakuriqit të natës, por shumë më të mëdha. Nxirrte tym e flakë të verdha nga goja. Kjo flakë digjte e përvëlote barin, lulet, shkurret. Përpoqi tri herë bishtin dhe u bë tërmet i madh. Djali nuk u tremb: vuri shigjetën në hark. Shigjeta u nis, fërshëlleu, por nuk i bëri asgjë kuçedrës. I ra me shtizë, por as shtiza nuk i bëri gjë. Nxori shpatën, por kuçedra lëshoi një grahmë kaq të fortë sa shpata i ra nga dora. Kështu trimi mbeti përballë kuçedrës pa shigjeta, pa shtizë, pa shpatë. Kuçedra qeshi me të shtatë gojët, iu afrua, e përcëlloi me flakë dhe i tha: “Tani unë do të ha, o djalë, se ti shkele malin tim. Nuk ke dëgjuar ti se ai që shkel këtë mal nuk mbetet i gjallë? Këtu kanë ardhur shumë trima të tjerë përpara teje dhe të gjithë i kam ngrënë. Edhe ty do të ha, bëhu gati.” “Moj kuçedër stërkuçedër, unë e shoh se ti do të më hash. Me të vërtetë qënke shumë e fortë. Të lutem vetëm për një gjë: më lër të shkoj gjer në shtëpi që t’i kërkoj nënës uratën e vdekjes. Pastaj do të kthehem këtu që të më hash.” “Çfarë do të më japësh ti mua po të të lë të shkosh?” “Do të të jap besën time!” “Mirë, merr besën dhe shko.” Djali i dha besën kuçedrës, zbriti malin, shkoi drejt e në shtëpi dhe i tha nënës: “Zonja mëmë, mua më zuri kuçedra në malin e saj tek po gjuaja dhe tani do të më hajë. Unë i dhashë besën se do të kthehem dhe ajo më lëshoi. Tani më fal uratën e vdekjes, se do të shkoj të më hajë.” Nëna lëshoi kujën: qau, bubutiu: “Bir, o bir! Ç’tu desh të shkoje në malin e kuçedrës? Pse nuk më dëgjove mua? Mos shko!” “Jo, nënë, do të shkoj, se i kam dhënë besën kuçedrës.” Trimi buzëqeshi hidhur dhe u përgjunj që nëna t’i japë uratën e vdekjes: ai i puthi dorën, ajo i fali uratën, u vesh me të zeza, u mbyll në shtëpi… Djali shkoi te vajza e zemrës dhe i tha: “Të falem, moj e bukura ime! Kam ardhur të të lë lamtumirën, se unë do të shkoj e nuk kthehem më. Do të më hajë kuçedra, se më zuri tek po gjuaja në malin e saj. Shigjeta nuk i bëri gjë, shtiza nuk e preku, shpata më ra nga dora kur u mata ta qëlloj. I dhashë besën se do të kthehem prapë që të më hajë. Pra, mbeç gëzuar, moj e bukur!” Vajza vuri buzën në gaz. “Të vjen keq që do të të hajë kuçedra?” “Jo, moj e bukur. Ti më ke falur kaq ngazëllime me bukurinë tënde e me buzëqeshjen tënde, sa shkoj në vdekje pa asnjë pengesë. Qofsh e lumtur e rri me shëndet, se dua të arrij sa më shpejt, më pret kuçedra.” “Prit, djalë, se do të vij edhe unë në mal me ty.” Djali u vrenjt. “Mos eja, moj e bukura ime, se atje tunden gurët dhe drurët: kuçedra është shumë e keqe, të ha, të përvëlon, të përpin.” “Unë nuk vij, po të rrish edhe ti me mua përngaherë.” “Nuk mund, moj vashë, i kam dhënë besën kuçedrës dhe nuk e shkel dot… Më mirë i vdekur së besëshkelur.” E bukura qeshi dhe i tha: “Do të vij me ty!” Vajza i hipi një kali të bardhë, trimi i hipi një kali të zi dhe ia morën përpjetë malit të kuçedrës. Vajza dukej si e veshur me dritë. Djali e shikonte dhe drithërohej. Thoshte me vete: “Qysh t’a hajë këtë bukuri kuçedra? Ah, sikur të kisha tre jetë… Do t’ia falja të tria kuçedrës, që ta linte vajzën të kthehej në shtëpi dhe të jetonte e lumtur.” E bukura e vuri re se ai diçka bluante në mendje dhe e pyeti: “Ç’mendon ti, o trim?” Ai tha ç’mendonte: “Të kisha pasur, moj e bukur, tri jetë, do t’ia falja të tria kuçedrës, që ti të shpëtoje e të ktheheshe përsëri në shtëpi e të rroje e lumtur.” Ajo e vështroi tërë gaz. “Edhe pa ty?” “Qoftë edhe pa mua…” “Kaq shumë më do?” “Shumë…” Ndërkaq bubulloi tërë mali, u tundën gurët dhe drurët.

Bija e hënës dhe e diellit

Doli kuçedra me shtatë krerë dhe ia mori këngës: “Lumja unë e lumja! Kisha një, u bënë dy! Po më vjen një vashëz e njomë. Do ta ha, do ta përpij.” Vajza e bardhë qeshi dhe ia ktheu: “Mjerë ti, mjerë, moj kuçedër! Kishe një e s’ke asnjë. Dhe ti vetë do hysh në fund të dheut, se ky mal është i njerëzve dhe do të jetë i njerëzve.” Vajza e trimi iu afruan kuçedrës. Kjo filloi të mprehë dhëmbët e të lëshojë zjarr nga goja. Por me një të shikuar vajza e mbërtheu në vend. Kuçedra u tremb, u mundua të prapset. “Cila je ti, moj vashë e bardhë, që më kall të ngjethura në shtat? Ç’është kjo dritë që të furfurin në fytyrë? Ç’është ky zjarr që po më djeg kështu?” Jam bija e hënës dhe e diellit, jam pika e qiejve që bie kudo, në male e fusha, mbi kryet e të liqve, për të mirën e të mirëve, për shpëtimin e njerëzve. “Ç’e ke ti këtë trim, moj vashë e bardhë?” “E kam shoqin e jetëve.” “Vashë mbi vashëzat e dheut,” i tha kuçedra, “kthehu e gëzuar. Trashëgofsh të ritë tënd me trimin e zgjedhur. Paski qënë të dy të besës e më mundët.” “Po ti, moj kuçedër e stërkuçedër, çdo të bësh tani?” e pyeti bija e hënës dhe e diellit, që mbante në dorë një shigjetë drite: pikë e qiellit. “Meqë ti më munde, unë s’kam vend në këtë botë: do të hyj në fund të dheut e nuk do të dal kurrë më.” Dhe kuçedra u zhduk e nuk doli më: ndofta u dogj, u bë hi, ndofta u fut në fund të dheut. Ata të dy, vajza e bardhë dhe trimi i besës, rruan e trashëguan jetë pas jete. Edhe në malin e kuçedrës gjahtarët filluan të shkojnë për gjah si në gjithë malet e tjera. Atje filluan të kumbojnë këmborë koperash dhe sëpatë druvarësh. /KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha