Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kosova

Çfarë presin banorët e veriut të Kosovës nga zgjedhjet në Serbi

Çfarë presin banorët e veriut të Kosovës nga zgjedhjet në Serbi

PRISHTINË, 25 tetor/ATSH/ Banorët serbë të pjesës veriore të Kosovës, me të cilët bisedoi ekipi i Radios Evropa e Lirë, deklaruan se nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë, që zhvillohen të dielën, më 25 tetor, presin një të ardhme më të mirë, paqe dhe stabilitet.

Një prej tyre është Bojani nga Mitrovica e Veriut, i cili u shpreh se pret që Beogradi zyrtar të kujdeset për pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë dhe t’i mbështesë ata.

“Vetëm të kalojë gjithçka pa probleme”, thotë ai. Dragana nga Mitrovica e Veriut thotë se është zgjuar në orën katër të mëngjesit, në mënyrë që të nisej me transport të organizuar drejt Rashkës për ta ushtruar të drejtën e saj të votës.

“Jam e lodhur, nuk e di çfarë të pres. Jeta jonë [në Kosovë] është hiç, e çfarë pres, nuk di të të them”, shprehet ajo.

Ndërkaq, Zorani nga Leposaviqi thotë se ka pritur gjatë në kufi që të mund ta ushtronte të drejtën e tij të votës, teksa shtoi se shpreson për një të ardhme më të mirë.

“Shpresoj që për ne të jetë më mirë. Që në zgjedhjet e ardhshme të votoj në Leposaviq e jo këtu”, shprehet ai.

Në mesin e 6.45 milionë qytetarëve të regjistruar në listën e votuesve të Serbisë, më shumë se 115 mijë kanë adresa në Kosovë.

Vendvotimet dhe transporti i organizuar

Qytetarët serbë të Kosovës mund të votojnë në 60 vendvotime në katër komuna pranë kufirit me Kosovën: Vranjë, Rashkë, Tutin dhe Kurshumli.

Në këto zgjedhje marrin pjesë kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb, i cili mbështetet te Qeveria në Beograd.

Në zonat e banuara me serbë në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë institucione arsimore dhe shëndetësore nën sistemin e Serbisë, teksa institucionet e tjera të këtij sistemi janë zhvendosur në qytete pranë kufirit, në territorin e Serbisë.

Ato financohen nga buxheti shtetëror i Serbisë. Institucionet e tjera, që funksionin sipas sistemit serb, janë mbyllur nga autoritetet kosovare, që i cilësoi si paralele dhe të paligjshme.

Serbët nga Kosova transportohen drejt qendrave të votimit në mënyrë të organizuar. Një qytetare serbe i tha ditë më parë Radios Evropa e Lirë se transportin e organizon Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Udhëtimi i organizuar për të votuar ka qenë praktikë edhe në zgjedhjet e mëparshme.

Ndryshimi i praktikës që nga viti 2022

Një praktikë e tillë nisi më 2022, pasi autoritetet në Kosovë refuzuan që të lejonin hapjen e vendvotimeve në zonat e banuara me shumë serbë për zgjedhjet e organizuara nga Beogradi.

Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia organizoi në zonat e banuara me serbë në Kosovë u mbajtën më 21 qershor 2020.

Ato u zhvilluan sipas praktikës së mëparshme, me misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë që mblidhte votat.

Fletëvotimet më pas numëroheshin në Serbi, në Rashkë dhe Vranjë.

Por, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti e ndërpreu këtë praktikë, duke kërkuar që Beogradi t’i drejtohet asaj me kërkesë për organizimin e zgjedhjeve, pa ndërmjetësimin e OSBE-së.

Serbia e ka refuzuar këtë, duke pretenduar se një hap i tillë do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje disa herë Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për t’u mundësuar qytetarëve të votojnë në zgjedhjet e Serbisë. /rel/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha