Rruga malore vazhdon, por disa hapa janë bërë. Vllaznia arriti fitoren e dytë në tri ndeshjet e fundit në Superligën shqiptare, duke dhënë shenja jete, dhe këtë herë duke mposhtur Tiranën.
Përveç tri pikëve, kjo përballje ka edhe një vlerë tjetër morale e psikologjike, si fitore në derbin më të vjetër të futbollit shqiptar.
Vllaznia dhe Tirana në “Loro Boriçi”
Edhe pse Tirana pati një rast të qartë në pjesën e parë, sfida anoi më shumë nga vendasit, ndonëse përkrahja për ta në “Loro Boriçi” vazhdon të mos jetë e madhe.
Murataj kaloi të vetët në epërsi me një gol shumë të bukur me thembër, i cili kaloi edhe kontrollin e VAR-it.
Edhe pas pushimit, ritmi ishte i njëjti, me Vllazninë në kërkim të golit të dytë dhe me Tiranën që reagonte, por më rrallë.
Trajneri Çaba Laslo dhe renditja
Trajneri hungarez Çaba Laslo duket se ka ardhur me këmbën e mbarë, pasi me të në stol janë mundur dy rivalë të rëndësishëm, fillimisht Dinamo e tani rekordmenët e titujve.
Vetëm Egnatia ka qenë më e fortë se skuadra e tij, por kjo mund të kuptohet e të pranohet.
Tirana mbeti në kuotën e 11 pikëve dhe do ta mbajë vendin e katërt edhe pas javës së 8-të të Superligës, ndërsa shkodranët kanë 8 pikë, baraz me pozicionin e parafundit.
Duket qartë pra se shumica e ekipeve janë pranë e pranë dhe mund të pretendojnë njëlloj edhe për kupat e Europës, edhe mund të rrezikohen për rënien nga kategoria./abcnews.al
Burimi: abcnews.al










