Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kulturë

Dua Lipa zhvillon intervistë me Zadie Smith për letërsinë dhe realitetin shoqëror

Dua Lipa zhvillon intervistë me Zadie Smith për letërsinë dhe realitetin shoqëror

Shkrimtarja britanike Zadie Smith ka thënë se thellimi i pabarazisë ekonomike në Britani ka shtuar ndarjet shoqërore, duke bërë që diferencat kulturore të ndihen si çështje ekzistenciale. Sipas saj, dobësimi i sistemit historik të mirëqenies sociale ka ndikuar në mënyrën se si njerëzit i shohin dhe i perceptojnë të tjerët.

Gjatë një bisede me këngëtaren Dua Lipa, e organizuar në kuadër të Festivalit të Letërsisë në Londër, në Southbank Centre, Smith foli për ndryshimet në qëndrimet ndaj multikulturalizmit, emigracionit dhe jetës shoqërore në Britani, duke u ndalur edhe te romani i saj debutues, “White Teeth”, botuar në vitin 2000.

Zadie Smith për multikulturalizmin dhe pabarazinë

E pyetur nga Dua Lipa se si kanë ndryshuar qëndrimet ndaj multikulturalizmit që nga vitet ’80 dhe ’90, si dhe për ndarjet e sotme politike rreth emigracionit, shkrimtarja theksoi se pabarazia dhe papunësia kanë luajtur rol të rëndësishëm në këtë ndryshim.

“Kur jeton në një banesë përgjithësisht të mirë, kur lëndohesh e di se mund të shkosh në spital dhe të trajtohesh njësoj si fëmija i pasur që jeton më tutje, atëherë dallimet me të tjerët bëhen interesante, ndonjëherë të bezdisshme, por jo ekzistenciale”, tha Smith.

“Sot, ato janë ekzistenciale. Kur nuk mund të gjesh punë, kur nuk ka banesa, kur shkollat dhe spitalet po rrënohen, atëherë gjithçka të duket si çështje ekzistenciale”, shtoi ajo.

Smith u rikthye edhe te përvojat e saj në lagjet Kilburn dhe Willesden, në veriperëndim të Londrës, ku është rritur dhe ku zhvillohet kryesisht ngjarja e romanit “White Teeth”. Vepra rrëfen historitë e tri familjeve, Jones, Iqbal dhe Chalfen, duke trajtuar identitetin, përkatësinë dhe jetën në një shoqëri multikulturore.

Shkrimtarja vlerësoi arsimin publik që kishte marrë, duke thënë se ai i kishte shërbyer jashtëzakonisht shumë gjatë jetës. Ajo kujtoi se përvoja e saj arsimore i kishte mundësuar të komunikonte me njerëz nga prejardhje të ndryshme, ndërsa sot, sipas saj, kushtet në të njëjtat lagje dhe shkolla janë përkeqësuar.

“Kur shikon lagjen time sot, të njëjtat shkolla dhe të njëjtat rrethana, gjithçka është më e vështirë, të gjithë janë më të varfër dhe të gjithë po përpiqen të përballojnë vështirësitë”, tha ajo.

Smith argumentoi se në kushte të tilla bëhet gjithnjë e më e natyrshme që njerëzit t’i shohin të tjerët me dyshim dhe armiqësi. Sipas saj, kjo nuk është thjesht çështje e dallimeve kulturore, por një problem ekonomik dhe strukturor.

Ajo bëri thirrje gjithashtu për një lloj nostalgjie ndaj ideve të së majtës, duke sugjeruar se shoqëria duhet të rikthejë vëmendjen te vlerat e një sistemi funksional të mirëqenies sociale. Kjo, sipas saj, nuk do të thotë të idealizohen të gjitha aspektet e së kaluarës, përfshirë paragjykimet racore dhe kufizimet shoqërore të asaj kohe, por të ruhen elementet që kanë kontribuar në mirëqenien e përbashkët.

“Ju nuk dëshironi politikat e viteve ’80 ndaj komunitetit LGBTQ+ dhe as paragjykimet racore të paraqitura në ‘White Teeth’. Por, a i dëshironi shërbimet shëndetësore, shkollat dhe arsimin e asaj kohe? Mendoj se po”, u shpreh Smith.

Ajo shtoi se ia vlen të shihet se çfarë ka pasur vlerë në të kaluarën, duke veçuar një demokraci sociale që funksiononte dhe që, sipas saj, mund të funksionojë sërish nëse shoqëria beson në të dhe angazhohet për të.

Historia e romanit “White Teeth” dhe kritika letrare

Zadie Smith: E përfundova romanin në Ditën e Shën Valentinit dhe vrapova drejt klubit

Gjatë bisedës me Dua Lipën, Smith tregoi edhe për rrethanat në të cilat kishte përfunduar romanin “White Teeth”. Ajo kishte nisur ta shkruante veprën kur ishte 21 vjeçe dhe e kishte botuar në moshën 24-vjeçare.

Shkrimtarja kujtoi se e përfundoi romanin pas një ndarjeje sentimentale, kur ishte kthyer të jetonte me të ëmën. Ndërsa miqtë e saj dilnin për argëtim, ajo qëndronte në dhomë për të përfunduar librin.

Meqë Dita e Shën Valentinit po afrohej, shoqet e saj këmbëngulën që të dilnin së bashku. Smith arriti ta përfundonte romanin më 14 shkurt dhe, siç tregoi me humor, shkoi menjëherë në klub. Ajo tha se kjo ishte edhe arsyeja pse fundi i romanit doli kaq kaotik, duke shtuar me shaka se të rinjtë nuk duhet të shkruajnë romane.

Që nga “White Teeth”, Smith ka botuar edhe pesë romane të tjera: “The Autograph Man”, “On Beauty”, “NW”, “Swing Time” dhe “The Fraud”, krahas tregimeve të shkurtra dhe veprave jofiksionale. Libri i saj më i fundit është përmbledhja e eseve “Dead and Alive”.

Dua Lipa dhe Zadie Smith flasin për kritikat letrare

Një pjesë tjetër e bisedës iu kushtua kritikës dhe mënyrës se si autorët përballen me vlerësimet për veprat e tyre. Dua Lipa tha se të mësuarit për të jetuar me kritikat, qofshin ato pozitive apo negative, kishte qenë një nga gjërat më të vështira për t’u përballuar.

Smith, nga ana tjetër, e cilësoi kritikën letrare si thelbësore, duke argumentuar se ajo ndihmon në zhvillimin e shijes dhe të gjykimit artistik.

“Jam shumë e interesuar për kritikën. Edhe nëse është një recension negativ për mua, nëse është shkruar mirë dhe është inteligjent, madje më pëlqejnë edhe kritikat që e rrëzojnë një vepër”, tha shkrimtarja.

Festivali i Letërsisë në Londër vazhdon deri më 1 nëntor, me një program që përfshin emra të njohur të letërsisë, përfshirë Patti Smith, Malorie Blackman dhe Hisham Matar. Dua Lipa është gjithashtu themeluese e klubit të librit Service95, përmes të cilit zhvillon intervista mujore me autorë nga vende dhe fusha të ndryshme letrare./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha