Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kulturë

Kur procesi shndërrohet në vepër arti, shfaqja PLAY ON vjen në skenë

Kur procesi shndërrohet në vepër arti, shfaqja PLAY ON vjen në skenë

Shkruan: Ilir Muharremi, kritik i artit

Pas katërmbëdhjetë edicionesh, NET/RRJET ka arritur diçka që në skenën tonë është e rrallë, vazhdimësinë. Aty ku shumë ekspozita jetojnë vetëm sa zgjat hapja e tyre, vazhdimësia nuk është thjesht çështje organizimi, por një formë e kohës, një kujtesë institucionale që ndërtohet vit pas viti. E themeluar në vitin 2008 nga prof. Majlinda Kelmendi dhe e organizuar nga EXPOART.40, platforma është kthyer në pikë referimi ku arti vendor takon praktikat evropiane pa kompleksin e ftesës së rastësishme. Edicioni XIV, i titulluar PLAY ON dhe i kuruar nga Zeni Ballazhi, hapet në Barabar Centre, në katin e katërt të Hotel Grand-it, dhe mbetet i hapur deri më 29 tetor. Dymbëdhjetë artistë nga Kosova, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Ukraina, Hungaria dhe Gjermania ndajnë një hapësirë që e provon një tezë të thjeshtë në formulim dhe të thellë në pasoja, se arti është proces i pandërprerë, jo objekt i mbyllur.

Titulli e mbart tashmë gjithë argumentin. Play on në anglisht është urdhëresë muzikore, vazhdo të luash, por edhe ftesë për të mos u ndalur kur gjërat duken të përfunduara. Filozofia e lashtë e ka quajtur dikur dallimin midis ergon-it, veprës së përfunduar, dhe energeia-s, veprimit që po ndodh. Shqipja, me një fat të rrallë gjuhësor, e ruan këtë afërsi brenda vetes, vepër dhe veprim rrjedhin nga e njëjta rrënjë. Ekspozita e shfrytëzon pikërisht këtë ngjashmëri dhe pyet, çfarë ndodh kur vepra nuk është më pika ku mbaron veprimi, por vetë veprimi i bërë i dukshëm? Përgjigjja nuk është përsëritja e së njëjtës gjë, por aftësia për t’u riformuar, imazhi që rilind në një medium tjetër, teksti që shkruhet mbi tekstin, trupi që shndërrohet në fragment dhe fragmenti në arkiv.

Në thelb, ekspozita ngre një pyetje mbi kohën. Bergson e dallonte kohën e matur nga ora nga kohëzgjatja e jetuar, ku çdo çast e mban brenda vetes të kaluarën dhe e shtyn përpara të ardhmen. Veprat e PLAY ON i përkasin kësaj kohe të dytë, ato nuk janë çaste të ngrira, por kalime. Shikuesi nuk takon një objekt, por hyn në një rrjedhë, dhe kjo e bën ekspozitën më pak një vitrinë dhe më shumë një përvojë të përbashkët kohe.

Imazhi që rilind: Smith, Codex, Shtibernik

Qendra konceptuale e ekspozitës ndodhet te veprat që e marrin vetë mediumin si temë. Horizontal Roll (2026, 2’45”) i Dan Smith-it nis nga një gjest pothuajse artizanal, autoportrete të realizuara gjatë izolimit të pandemisë me një kamerë pinhole të ndërtuar nga një kuti këpucësh dhe letër fotografike, të zhvilluara me Caffenol-C, një zhvillues me bazë kafeje. Imazhet e ruajnë papërsosmërinë, kokrrizimin dhe kufizimet e procesit e të kushteve në të cilat u bënë. Vite më vonë, fotografitë u skanuan dhe u zgjeruan horizontalisht me mjetet gjeneruese të Photoshop-it, ndërsa një program IA image-to-video i dha secilës lëvizje të lehtë, që portretet të marrin frymë, të zhvendosen dhe për një çast të kthehen në jetë.

Fuqia e punës qëndron në atë që nuk e shet teknologjinë si mrekulli, por e vendos në një varg kohësh. Titulli aludon te Vertical Roll (1972) i Joan Jonas-it, ku përsëritja, ndërprerja, lëvizja mekanike dhe trupi ishin vetë subjekti, por ndërsa Jonas punonte me një trup të gjallë, Smith niset nga autoportrete që janë tashmë të fiksuara në kohë. Roland Barthes e quante thelbin e fotografisë ça-a-été, atë që ka qenë; këtu ky ka qenë papritur fillon të bëhet po bëhe. Maskat gjeometrike low-poly të punuara me dorë, sipas modeleve të Wintercroft-it dhe të përshtatshme për ekspozimet e gjata të kamerës pinhole, shtojnë një shtresë tjetër shtrembërimi, e fshehin fytyrën dhe njëkohësisht krijojnë një identitet të ri. Portretet lëvizin mes qetësisë dhe animacionit, dokumentit dhe rindërtimit, kujtesës dhe shpikjes, dhe lëvizja mbetet e pasigurt, ndërmjet një gjesti të kujtuar dhe një gjesti të përfytyruar. Kjo pasiguri është e ndershme, sepse vepra pyet se si ndryshojnë imazhet tona kur ndryshojnë teknologjitë që i krijojnë, i ruajnë dhe i rinterpretojnë.

Codex (2022, 10’14”), videoart elektroakustik me media fikse stereo ose 8 kanale, i bashkëpunimit të Daria Baiocchi-t (tingulli), Riccardo Gagliarducci-t (dizajni i animacionit) dhe Roberto Rosso-s (imazhi digjital), e zhvillon të njëjtin interes në një regjistër më të gjerë dhe më muzikor. Sinopsisi e përshkruan si magji vizuale, një arkiv në lëvizje, imazhet dalin dhe treten si shkrime të harruara, dorëshkrimet e ndriçuara rrjedhin në të dhëna dhe sinjale të thyera, dhe videoja lëviz mes gjuhëve të shenjta dhe sintetike, duke ndjekur se si dija bartet, ruhet, keqlexohet dhe humbet. Ekrani trajtohet si palimpsest, ku çdo shenjë është njëkohësisht mbetje dhe profeci, dhe palimpsesti është figura ideale e kujtesës, një sipërfaqe ku çdo shkrim i ri nuk e fshin plotësisht të vjetrin. Pyetja që shtron vepra, jo çfarë është shkruar, por çfarë mbijeton, i përket sot njësoj arkivave, algoritmeve dhe kujtesës kolektive, Derrida e kishte vënë re se arkivi nuk është thjesht ruajtje e së kaluarës, por formë e së ardhmes. Autorësia këtu është e ndarë mes tri dorash dhe sistemi rezulton më i fortë se secili element veç e veç, çka e bën Codex shembullin më të mirë të asaj që NET/RRJET premton me fjalën dialog.

Në një skaj tjetër të së njëjtës logjikë qëndron Dominik Shtibernik, që prezanton videon Fugitive presence (Prania ikëse). I lindur në vitin 1993, i diplomuar në Lubjanë në 2019 dhe asistent afatgjatë i Miran Moharit të grupit IRWIN, ai e ka mësuar nga afër çka do të thotë të punosh brenda një trashëgimie të madhe, atë të Evropës Lindore e Qendrore. Praktika e tij, e përqendruar te gjurmët dhe te gjestet mezi të perceptueshme që i shmangen vështrimit, është e kundërta e spektaklit, dhe titulli i videos e përmbledh me saktësi, prania që ikën, e kapur në çastin kur po largohet. Gjurma, siç e ka menduar filozofia e shekullit XX, është prania e një mungese. Vepra e tij hiperrealiste Selfie, e prezantuar në +MSUM në Lubjanë, e shpie autoportretin te dyfishimi fizik dhe i bën jehonë dialogut të ekspozitës me imazhin e vetvetes. Një poetikë e gjurmës në një ekspozitë me ekrane është kundërpeshë e vlefshme, e kujton shikuesin se heshtja e shenjave të vogla mund të flasë më thellë se ndriçimi i imazheve të mëdha. Edhe vetë hapësira, vend kalimi dhe qëndrimi të përkohshëm, i përshtatet kësaj poetike.

Trupi, fragmenti, thellësia, Kelmendi, Glynska, Sahiti

Nëse grupi i parë e merr procesin përmes teknologjisë, i dyti e merr përmes trupit dhe psikikës. Fragments of a Being – Reflection e Majlinda Kelmendit, instalacion me teknikë të kombinuar në pëlhurë, niset nga ideja se qenia njerëzore nuk është tërësi e fiksuar, por strukturë e formësuar vazhdimisht nga kujtesa, përvoja, mungesa dhe shndërrimi. Fragmenti nuk është thjesht pjesë e shkëputur apo dëshmi humbjeje, ai bart gjurmën e së kaluarës dhe njëkohësisht mban mundësinë e rindërtimit, ndërsa reflektimi kuptohet jo si imazh pasqyre, por si kthim te shtresat e brendshme përmes të cilave formohet identiteti. Një kompozim punimesh në mur dhe një formë skulpturore e varur në qendër të hapësirës e shndërrojnë këtë ide në përvojë. Sipërfaqet e zeza, të hirta dhe të bardha e bëjnë murin arkiv vizual fragmentesh, ku çdo pjesë ruan individualitetin e vet, por e fiton kuptimin plotësisht vetëm në marrëdhënie me të tjerat, dhe përsëritja gjeneron ritëm, ku gjurmët shfaqen, zhduken dhe kthehen në konfigurime të reja.

Forma e pezulluar, e lexueshme si trup, guaskë, strehë apo prani në shndërrim, qëndron midis dyshemesë dhe tavanit në gjendje kalimtare, sikur formimi i saj s’ka mbaruar kurrë. Ndërhyrjet me të kuqe dhe portokalli e ndërpresin qetësinë monokromatike si puls, burim energjie dhe shenjë se jeta vazhdon. Është një zgjidhje e matur, që u beson dy-tre gjesteve të qarta, jo një vokabulari të stërngarkuar, dhe e përkthen vetë titullin e ekspozitës, vazhdimësia kuptohet jo si përsëritje e së njëjtës gjë, por si aftësi për të marrë formë sërish. Një skulpturë e butë (soft sculpture), marrëdhënia e formës së pezulluar, distanca e vogël ndërmjet është element i rëndësishëm i instalacionit, tensioni krijohet ndërmjet afrimit dhe mosprekjes. Në këtë marrëdhënie, ekuilibri nuk shfaqet si gjendje e qëndrueshme, por si një proces i vazhdueshëm ndërmjet pranisë, peshës dhe hapësirës.

kultplus.com

Të fundit Të gjitha