Aktivistë dhe qytetarë kanë vazhduar protestat para institucioneve që nga e mërkura, duke kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe largimin nga detyra të dy ministrave, Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla.
Raportet e përgatitura nga dy ministritë e drejtuara nga Gërvalla dhe Sveçla kanë nxjerrë në pah dështime në mbrojtjen e jetës së Arlinda Zekajt. Megjithatë, të dy ministrat kanë dhënë të njëjtin përgjigje ndaj kërkesave për t’u larguar nga detyra.
Politologë dhe njohës të çështjeve sociale i kanë kritikuar ministrat për faktin se nuk kanë dhënë dorëheqjen, pavarësisht përfundimeve të raporteve.
Ramiz Ismajli: Dorëheqja si akt moral
Politologu Ramiz Ismajli e konsideron të domosdoshme dorëheqjen, duke theksuar se një vendim i tillë nuk nënkupton automatikisht pranimin e fajësisë.
“Dorëheqja nuk është medoemos pranim i fajit. Ajo lidhet me ndjenjën e përgjegjësisë dhe respektin ndaj qytetarëve, prandaj zonja Gërvalla dhe zoti Sveçla mbajnë përgjegjësi”, ka thënë Ramiz Ismajli, politolog.
Sipas Ismajlit, pas këtij dështimi duhet të ndërmerren hapa për ndryshimin e sistemit.
“Ministri Sveçla dhe ministrja Gërvalla nuk duhet të presin rritjen e presionit qytetar. Dorëheqja duhet të jetë një akt moral, pasi ata nuk i kanë evidentuar mangësitë e sistemit. Pikërisht këtu duhet të nisin reformat në drejtësi dhe në polici, për të parë se çfarë nuk funksionon dhe çfarë duhet ndryshuar”, ka thënë Ramiz Ismajli, politolog.
Bekim Selishta: Të largohet edhe kryeministri
Sociologu Bekim Selishta ka deklaruar se dorëheqja është e domosdoshme dhe se edhe kryeministri duhet ta shqyrtojë një mundësi të tillë.
“Vetë kryeministri duhet të mendojë për dorëheqjen, sepse në këtë situatë ajo do të ishte akti moral më i vogël që mund të ndërmerret përballë një ngjarjeje që ka tronditur vendin tonë”, ka thënë Bekim Selishta, sociolog.
Selishta është shprehur gjithashtu për nevojën e dorëheqjes së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha.
“Në pozitën që mban, zoti Hoxha duhej të ishte i fundit që do të jepte dorëheqjen në raport me politikën. Në këtë rast kemi parë dështimin e politikës, ndërsa edhe fjalimi i Donika Gërvallës në Kuvend e ka forcuar bindjen se ajo duhet të largohet”, ka thënë Bekim Selishta, sociolog.
Burimi: www.albeu.com










