Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Momenti i panikut në fluturimin Prishtinë–Basel, pasagjeri thyen xhamin

Momenti i panikut në fluturimin Prishtinë–Basel, pasagjeri thyen xhamin
Foto: gazetaexpress.com

Një ngjarje e rrallë ndodhi të hënën në mbrëmje në fluturimin e easyJet nga Prishtina për në Basel, duke shkaktuar panik dhe shqetësim te pasagjerët në bord.

Sipas burimeve të KosovaNews nga disa udhëtarë që ishin në avion, situata filloi rreth tridhjetë minuta pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”. Fluturimi për në Basel ishte planifikuar të nisej në orën 20:05.

Në fillim, një grua rreth 40 vjeç dyshohet se pësoi një rënie të papritur të tensionit të gjakut dhe një gjendje të fortë ankthi, duke qenë afër të fikëtit.

Ekuipazhi i avionit kërkoi menjëherë ndihmë nga pasagjerët, duke pyetur nëse kishte ndonjë mjek në bord.

Për fat, mes udhëtarëve ndodhej neurokirurgu kosovar, dr. Valon Baraliu, i cili punon në një spital në Gjermani.

Pas ndërhyrjes së tij dhe dhënies së ndihmës së parë, gjendja e pasagjeres u stabilizua.

KosovaNews kontaktoi dr. Baraliun, i cili konfirmoi ngjarjen dhe ndërhyrjen e tij për t’i ofruar ndihmë udhëtares.

Ndërhyrja e mjekut dhe stabilizimi i pasagjeres

“Po, unë, bashkë me qindra udhëtarë, isha në fluturimin e easyJet të orës 20:05, në linjën Prishtinë–Basel. Rreth gjysmë ore pas nisjes së avionit, një udhëtare rreth 40 vjeçe përjetoi një gjendje të rëndë të aritmisë akute, të shoqëruar me hiperventilim, marramendje dhe ankth të theksuar e sulm paniku.

Ekuipazhi dhe pilotët kërkuan ndihmë përmes altoparlantit, duke pyetur nëse kishte ndonjë mjek në bord. Unë, pa hezitim, u ngrita dhe i ofrova ndihmë profesionale pacientes, ashtu siç e kërkojnë detyra dhe profesioni im. Në bord ishte edhe një infermiere e re, e cila na u bashkua, së bashku me ekuipazhin e aeroplanit, që ishte në gatishmëri dhe na mbështeti gjatë gjithë kohës.

Pas ndërhyrjes sime, gjendja e pacientes u stabilizua dhe ekuipazhit i sugjerova se mund ta vazhdonim udhëtimin pa pasur nevojë për ulje emergjente”, deklaroi Baraliu.

Megjithatë, situata në avion nuk mbaroi me kaq.

Rreth gjysmë ore pas incidentit të parë, një tjetër udhëtar, rreth 42 vjeç, shtetas zviceran me prejardhje nga Kosova, dyshohet se shfaqi papritur sjellje agresive dhe të dhunshme, pa ndonjë shkak të dukshëm.

Sipas dëshmive të pasagjerëve, ai theu me forcë xhamin e brendshëm të dritares pranë ulëses së tij, duke shkaktuar frikë dhe pasiguri te udhëtarët e tjerë.

Edhe këtë rast e konfirmoi neurokirurgu Valon Baraliu, të cilit ekuipazhi i kishte kërkuar sërish ndihmë për të vlerësuar gjendjen e pasagjerit.

Incidenti i dytë dhe mbajtja nën kontroll deri në Basel

“Pak kohë pas rastit me udhëtaren, siç ju shpjegova, në pjesën e prapme të aeroplanit dëgjova një zhurmë që përkoi me thyerjen e xhamit të brendshëm të dritares nga një udhëtar, pa ndonjë shkak të dukshëm. Pasagjerët në atë pjesë u kapluan nga paniku.

Personi në fjalë, rreth 42 vjeç, kishte thyer xhamin e brendshëm pranë dritares së avionit. Ekuipazhi më kërkoi përsëri që ta ekzaminoja gjendjen e tij psikofizike. Kur iu afrova, personi, ndonëse dukej fizikisht stabil, nuk fliste asnjë fjalë dhe nuk reagonte ndaj pyetjeve të mia.

Nuk mund të konfirmoj nëse ishte nën ndikimin e ndonjë medikamenti apo në një gjendje çrregullimi ose sforcimi mendor në momentin e kryerjes së veprimit, pa iu nënshtruar analizave përkatëse.

Më pas, udhëtari u mbajt nën mbikëqyrjen e disa pasagjerëve deri në uljen e aeroplanit në Aeroportin e Baselit, ku më pas u mor në kontroll nga xhandarmëria e aeroportit.

Duhet të theksoj se gjatë gjithë kohës, si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin, ekuipazhi i easyJet-it u tregua shumë profesional, human dhe mbështetës. Pavarësisht situatës, pjesëtarët e ekuipazhit arritën ta mbanin atë nën kontroll me qetësi dhe përkushtim”, deklaroi Baraliu.

Dëshmitarët e përshkruan atmosferën në bord si tejet të tensionuar, duke thënë se shumë pasagjerë, përfshirë familje me fëmijë, përjetuan momente paniku për shkak të ngjarjeve të njëpasnjëshme gjatë fluturimit.

Ndërkohë, ndërhyrja e shpejtë e neurokirurgut kosovar, dr. Valon Baraliu, u vlerësua nga ekuipazhi, kapiteni i avionit dhe pasagjerët, pasi ai i ofroi ndihmën e parë udhëtares që përjetoi gjendje të rënduar shëndetësore gjatë fluturimit./Telegrafi

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha