Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Arlinda Zekaj lë pas borxh mbi 8 mijë euro, biznesmenja merr përsipër detyrimet

Arlinda Zekaj lë pas borxh mbi 8 mijë euro, biznesmenja merr përsipër detyrimet
Foto: lajmifundit.al

Një grua biznesmene ka marrë përsipër të shlyejë borxhin prej 8 mijë e 84 eurosh që Arlinda Zekaj kishte ndaj një banke ku kishte marrë kredi. Lajmi është bërë i ditur nga gazetari Ermal Panduri në Kosovë, i cili tha se gruaja kishte kërkuar të mos identifikohej.

Reagimi pas publikimit të mesazheve

Pas vrasjes tragjike të Zekajt nga kunati i saj, një familjar publikoi disa mesazhe që kishte marrë nga Banka Financiare Kreditimi Rural i Kosovës, lidhur me vonesat në pagesën e kësteve të kredisë. Pas kësaj, gruaja ka shprehur gatishmërinë për ta paguar të gjithë borxhin.

Nga ana tjetër, vetë banka ka reaguar në lidhje me mesazhet, duke sqaruar se ato ishin automatike dhe ishin dërguar pa ndërhyrje manuale. Megjithatë, banka kërkon falje dhe madje shprehet se po shqyrtohet mundësia e faljes së detyrimeve.

Reagimi i plotë i Bankës

Reagimi i plotë i Bankës: SQARIM PUBLIK DHE KËRKIM FALJE PËR GABIM TEKNIK

Me qëllim të informimit të drejtë të publikut, dëshirojmë të sqarojmë se mesazhi SMS lidhur me vonesën e pagesës së kredisë së të ndjerës Arlinda Zekaj është gjeneruar automatikisht nga sistemi ynë elektronik, pa ndërhyrje manuale.

Në momentin kur kemi kuptuar për dërgimin e mesazhit, rasti ishte tashmë në proces të trajtimit nga ana jonë.

Dëshirojmë të theksojmë se dërgimi i këtij mesazhi nuk ka qenë i qëllimshëm dhe se në asnjë rrethanë nuk ka pasur synim të shpërfillet apo të shfrytëzohet kjo ngjarje tragjike.

Megjithatë, e kuptojmë plotësisht ndjeshmërinë e situatës dhe dhimbjen e familjes, ndaj na vjen sinqerisht keq për këtë keqkuptim të krijuar.

KRK i kërkon falje të sinqertë familjes dhe shpreh ngushëllimet më të thella për humbjen e vajzës së tyre.

Në këto momente të vështira, KRK shpreh respektin dhe solidaritetin me familjen.

Duke e trajtuar këtë rast me ndjeshmëri dhe mirëkuptim të veçantë, KRK do të shqyrtojë edhe mundësinë e faljes së detyrimit të mbetur të kredisë, në përputhje me procedurat përkatëse të institucionit.

KRK mbetet e përkushtuar ndaj komunikimit të përgjegjshëm, respektimit të dinjitetit njerëzor dhe trajtimit me mirëkuptim të klientëve dhe familjeve të tyre.

Me respekt, KRK!

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha