Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar zyrtarisht nga SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit caktimin e personave të kontaktit për të formalizuar bashkëpunimin ndërinstitucional në funksion të parandalimit dhe luftës kundër kriminalitetit zgjedhor, në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Kërkesa drejtuar institucioneve
Në një shkresë drejtuar drejtuesit të SPAK, Klodian Braho, Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, si dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, KQZ kërkon që çdo institucion të caktojë një përfaqësues për komunikimin e drejtpërdrejtë dhe shkëmbimin e shpejtë të informacionit mes institucioneve.
Baza ligjore dhe qëllimi i bashkëpunimit
Letra i referohet zbatimit të rekomandimit të Kuvendit, në kuadër të të cilit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ndërmerr hapat për formalizimin e bashkëpunimit me Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në funksion të parandalimit dhe luftës kundër kriminalitetit zgjedhor.
Caktimi i personave përgjegjës, sipas KQZ-së, synon komunikimin e drejtpërdrejtë dhe shkëmbimin e shpejtë të informacionit, me qëllim hartimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin, evidentimin dhe trajtimin e veprave penale që lidhen me procesin zgjedhor.
Burimi: kohajone.com










