Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Projektligji i ri për sigurimin e automjeteve rrit dëmshpërblimet dhe zgjeron mbulimin në BE

Projektligji i ri për sigurimin e automjeteve rrit dëmshpërblimet dhe zgjeron mbulimin në BE
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Dëmshpërblime më të larta për qytetarët në rast aksidentesh rrugore, mbulim sigurimi në të gjithë Bashkimin Evropian dhe mundësi për lidhjen e kontratave online.

Këto janë disa nga risitë që sjell projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, i publikuar për konsultim nga Ministria e Financave.

Limitet e reja të dëmshpërblimit

Ndryshimet e propozuara parashikojnë një rritje të ndjeshme të shumave që kompanitë e sigurimit do të duhet të paguajnë për dëmet e shkaktuara nga aksidentet automobilistike, duke synuar përafrimin gradual me standardet evropiane.

Sipas projektligjit, me hyrjen në fuqi të ligjit, kufiri i përgjegjësisë për shumicën e mjeteve do të arrijë në 100 milionë lekë, ndërsa për autobusët dhe kamionët do të ruhet niveli aktual. Ndërkohë, dëmshpërblimi për çdo person të dëmtuar parashikohet të rritet nga 22 në 45 milionë lekë.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me objektivin për të arritur limitet evropiane të përgjegjësisë pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në këtë fazë, mbulimi minimal do të jetë 6,45 milionë euro për çdo aksident ose 1,3 milionë euro për çdo person të dëmtuar.

Për këtë qëllim, projektligji përcakton një mekanizëm të rritjes graduale të limiteve, duke nisur nga 1 janari 2028. Këto kufij do të pësojnë rritje vjetore prej 25 milionë lekësh për dëmet ndaj personit, 15 milionë lekësh për dëmet ndaj pronës dhe 20 milionë lekësh për çdo person të dëmtuar.

Mbulimi në Bashkimin Evropian

Projektligji sjell risi edhe për drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë jashtë vendit. Kontrata e sigurimit të detyrueshëm do të ofrojë mbulim në të gjithë territorin e Bashkimit Evropian, përmes një primi të vetëm, duke garantuar edhe mbulimin e përcaktuar nga legjislacioni i shtetit ku ndodh aksidenti, në rast se ai është më i lartë.

Rritja e ndjeshme e kufijve të dëmshpërblimit dhe zgjerimi i mbulimit gjeografik mund të reflektohen edhe në çmimin e policave të sigurimit, duke sjellë një rritje të primit që paguajnë pronarët e automjeteve.

Kontratat online

Në kuadër të modernizimit të shërbimeve, parashikohet edhe dixhitalizimi i procesit të sigurimit. Kompanitë do të mundësojnë lidhjen e kontratave në rrugë elektronike, të cilat do të kenë të njëjtën fuqi ligjore si kontratat e nënshkruara në formë shkresore, me kusht që konsumatori të konfirmojë marrjen dhe kuptimin e informacionit, si dhe pranimin e kushteve.

Ky ndryshim i fundit do të zbatohet menjëherë pas miratimit të ligjit, ndërsa rritja e plotë e limiteve të përgjegjësisë do të lidhet me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

/e.xh/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha