Bashkëshortja dhe djali i Urim Fikut, 61-vjeçarit nga fshati Gotevë i Bulqizës, i cili humbi jetën tre ditë më parë, janë shoqëruar në polici, ndërsa hetimet për zbardhjen e ngjarjes vazhdojnë.
Ekspertiza zbulon plagën e armës së zjarrit
Ekspertiza ka zbuluar se viktima kishte një plagë të shkaktuar nga armë zjarri, konkretisht nga një plumb pistolete në gjoks.
Fillimisht, familjarët kanë dyshuar se 61-vjeçari ishte sulmuar nga një ari. Ata e kanë transportuar drejt spitalit të Bulqizës dhe kanë njoftuar policinë, por Fiku ka mbërritur pa shenja jete.
Dyshime mbi rrethanat e vdekjes
Plagët e shumta në trup dhe dëmtimet në kokë kanë ngritur dyshime mbi rrethanat e vdekjes. Trupi i pajetë është dërguar për ekspertizë në Tiranë, ku është zbuluar edhe plaga e shkaktuar nga arma e zjarrit.
Ndërkohë, shoqërimi i bashkëshortes dhe djalit ka tronditur komunitetin e zonës. Një banor, i cili ka njohur nga afër familjen, ka shprehur mosbesimin e tij për përfshirjen e mundshme të familjarëve në ngjarje.
“Për Gazmir Fikun që thonë se ka vrarë të atin, unë kurrë nuk jam në një mendje. E kam patur nxënës dhe ka qenë ndër më shembullorët në shkollë. Familja shumë e mirë…Unë nuk e konceptoj dot që e shoqja bashkë me djalin të kenë bërë këtë krim. Ndoshta e kanë kryer nuk e di. Por nuk e besoj dot që të jetë kryer nga njerëz të familjes. Vajzën e ka të martuar është jashtë. Djali punonte këtu tek OSHHE. Në fillim dëgjova se është dëmtuar nga ariu. Më pas nuk di ç’të them. Me banorë të fshatit më ka thënë që ka kaluar keq”, ka treguar një banor i zonës.
Hetimet vazhdojnë
Ndërkohë, burime bëjnë me dije se priten veprime të tjera hetimore, përfshirë edhe shoqërimin e një personi tjetër të afërt me familjen.
Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësit për vdekjen e 61-vjeçarit.
Burimi: www.albeu.com










