Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Letra e rrallë e gruas së Lazër Radit drejtuar Enver Hoxhës nga internimi

Letra e rrallë e gruas së Lazër Radit drejtuar Enver Hoxhës nga internimi
Foto: gazetashqiptare.al

Letra e nënës me foshnjën pesë muajshe

Ditën që kishte mbushur 33 vjeç, Viktori Radi i drejtohet Enver Hoxhës me një letër. Ajo sapo ka dalë me lirim të parakohshëm nga dënimi me dhjetë vite burg. Ka kryer pesë vjet e gjysmë dhe është liruar me dekret si e sëmurë me tuberkuloz, pasi ditët e jetës i ka të numëruara. Ndërkohë që ajo ishte në burg, e ëma e saj, Katerina Vushmaqi, ka shitur gjerdanin e artë dhe ka blerë (me porosi jashtë shtetit) kurën e penicilinës. Nëna i shpëtoi jetën asaj gruaje dhe e shpëtoi edhe nga vitet e mbetura të burgut.

Jashtë mureve, Viktoria vendos të shkojë të jetojë vullnetarisht në një kamp internimi mes maleve dhe pyjeve të Kurveleshit, ku burri i saj ishte prej dy vitesh, së bashku me rreth 100 burra të shkolluar nga gjithë Shqipëria. Ajo është e vetmja grua që jeton mes tyre. Pas 10 muajsh në kamp, ajo bëhet nënë e re. Tani janë tre fryma, me një racion prej 600 gramësh buke në ditë.

Është tmerri i një jete, i një familjeje dhe i një foshnjeje pa asnjë ndihmë. Në muajin e pestë të foshnjës, gruaja vendos t’i shkruajë diktatorit. Ai ka edhe ai fëmijë, dhe ndoshta e dhemb edhe kjo foshnjë e pafajshme. Ndoshta ndonjë drapër humanizmi i ka mbetur edhe atyre krijesave që më së shumti shfaqen si bisha!

Ajo ulet me dhimbjen e nënës në hall, me fjalë gruaje, qytetareje, njeriu të shkolluar, me një etikë shembullore, me një kaligrafi më se të admirueshme, me një racionalitet fisnik. I drejtohet herë me emër, herë me titull Komandant, herë në emër të Partisë, si Nënë e Popullit, për t’ia shpëtuar foshnjën pesë muajshe! Nuk kërkon asgjë të madhe, veç t’ia çojnë burrin në një kamp tjetër, ku të mund të punojë dhe t’ia mbajë frymën gjallë asaj familjeje, që bashkohej pas 12 vitesh! Asgjë të tepërt, asgjë të pamundur në shtetin ku drejton Njeriu me dorë të hekurt e gjakatare!

Letra e saj qarkullon nëpër zyrat e Pushtetit, dhe pikërisht kur foshnja ka arritur pothuajse një vjeç, vjen JO-ja e Pushtetit të Diktatorit! Ndërkohë foshnja e saj është në prag të vdekjes, e shndërruar në kockë e lëkurë, dhe pas të vjellave të pafundme pritet vetëm vdekja. Nuk kanë asgjë me çfarë ta kurojnë, as ta mbështjellin, as ta ushqejnë! Burri dhe gruaja, kokë më kokë mbi të, qajnë fatin e tyre në fatin e asaj foshnje që po ngjitet në qiell. Janë edhe 100 burra që e jetojnë me dhimbje të thellë vdekjen e asaj foshnje.

Por jo! Gjithmonë ekziston një forcë hyjnore, një shpresë hyjnore, një gëzim hyjnor, që hyn aty ku nuk mund të hyjë njeriu! Befas, si me magji, ajo foshnjë e mbarëzuar i shpërfill vdekjen, e merr veten përditë e nga pak bëhet forcë dhe besim për ata dy prindër që e deshën jetën edhe kur i kishin zhytur në errësirë! Tani dua t’ju shpjegoj edhe diçka të vogël! Para jush janë këto katër dokumente të kësaj së vërtete. Pikërisht nga këto katër fletë që paraqes sot, unë nuk kam mundur kurrë të dashuroj apo të jem mirënjohëse ndaj partisë së diktatorit, sepse prej tyre kam marrë vetëm vdekjen.

Ajo që dua të theksoj, dhe që bie menjëherë në sy edhe pas leximit të këtyre dokumenteve, është lufta e humanizmit me çnjerëzoren. Duket sikur në këto katër dokumente çnjerëzorja ka triumfuar! Jo! Nuk është aspak e vërtetë! Ka fituar Humanizmi! Ka fituar ajo grua që me përulësi iu drejtua diktatorit dhe iu lut për jetën e një foshnjeje pesë muajshe, dhe nuk i kërkoi asgjë më shumë se të punonte nëpër kampe të tjera (siç edhe punuan), dhe rritën përtej asaj foshnjeje edhe dy fëmijë të tjerë dhe ikën në paqe, atje në qiell ku janë edhe sot!

Pse edhe aty ku vdekja duket e plotfuqishme, mos harroni se shfaqet dora e një Zoti që i sheh të gjitha!

Dhe Ai ia jep dorën Jetës, Njeriut, Besimit!

Që kurrë e Keqja të mos mund ta fitojë Botën!

2 shkurt 2018

Viktori Radi i shkruan Enver Hoxhës

Kuç, 12 qershor 1957

Shoku Enver,

Një nënë me një foshnjë pesë muajshe në gji, po të drejtohem ty si prind, si baba fëmijësh, por edhe si baba i Partisë dhe i shtetit. Ti sigurisht do të dish t’i japësh dorën një nëne me foshnjë pesë muajshe, që të mos i lëmë të vdesin rrugëve.

Jam e shoqja e Lazër Radit, i cili në vitin 1945 u dënua nga Gjyqi i Popullit me 30 vjet burg. Po atë vit, me amnistinë e nandorit, pushteti i fali 20 vjet. Në prillin e vitit 1954 e plotësoi dënimin dhe u lirua. Mirëpo menjëherë pas lirimit u dënua me 5 vjet internim në Kuç.

Të kërkoj lirimin e tij më duket një guxim tepër i madh, sepse sigurisht pushteti ka arsyet e veta për këtë masë, por në emër të humanitarizmit, në emër të asaj dashurie të pakufishme që ti tregon për fëmijët e vegjël, do të kërkoj nga ti, shoku Komandant, të ma transferoni burrin tim në një vend ku të mund të punojë, si p.sh. në Lushnjë ose Fier, ose edhe në ndonjë vend tjetër. Unë jam e paaftë për punë fizike, kështu që foshnja dhe unë presim vetëm nga puna që mund të bëjë burri im.

Jeta e foshnjës është në rrezik. Këtu në Kuç nuk ka punë dhe nuk kemi asnjë mundësi jetese, sepse asnjë ndihmë nga askush nuk na vjen. Nëse kjo foshnjë do të mund të shpëtojë dhe të rritet, do të shpëtojë vetëm falë ndërhyrjes sate, dhe për jetën e vet do t’i jetë mirënjohëse partisë.

Është e tepërt të them se çdo çast e çdo orë ia rrezikon jetën foshnjës. Një ndërhyrje e jotja sa më e shpejtë do të ishte shpëtim për të.

Kam besim se Partia, nëna e popullit, do të mendojë edhe për foshnjën time pesë muajshe.

Në pritje të një përgjigjeje pozitive, mbetem me nderime

Viktori Radi

Kuç Vlorë!

Përgjigja e letrës që Viktori Radi i dërgoi Enver Hoxhës

Protokolluar, Komiteti Qendror

Nr. 4661 dt. 1.7.1957 (faqe 71-73)

Viktori Radi – Kuç – Vlorë

Nr. 518

Drejtorisë administrative R-29-6

Është gruaja e Lazër Radit. Janë të internuar në Kuç. Janë në gjendje të keqe ekonomike dhe s’kanë asnjë të ardhur, sepse atje nuk ka as punë.

Kërkojnë që të dërgohen në Lushnjë ose Fier, ku i shoqi mund të punojë për të mbajtur familjen. Kanë edhe një fëmijë 5 muajsh, i cili duhet ushqyer, dhe kjo i shtyn më tepër të kërkojnë largimin e tyre.

Shënim: Për sa kërkon qytetarja Viktori Radi, e cila ka shkuar vullnetarisht të jetojë me burrin e saj të internuar në Kuç të rrethit Vlorë.

Komisioni i Internimeve do ta shqyrtojë në mbledhjen e tij të parë dhe mund (fshirë – do) t’u japë transferimin të vijnë (fshirë – të vinë) në kampet Lushnjë ose Fier.

Zv. Drejt. Drejt. Administ.

Vilson Pecani

(Shënim me jeshile – aa)

Komisioni i Internimeve i mbledhur më datë 25/XII/1957, në shqyrtimin e bërë të kërkesës së Viktori Rodit (duhej – Radit), gruaja e të internuarit Llazër Rodi (duhej – Lazër Radi), e cila ka shkuar vetë të banojë me burrin e saj në kamp në Kuç të Vlorës dhe kërkon transferim prej aty në Fier ose Lushnjë, nuk iu mor parasysh.

Lazër Rodi (– duhej Radi) është një nga elementët më aktivë të punës armiqësore, duke folur akoma edhe në kampin ku është.

U kthye përgjigja me datë 7/1/958, se kërkesa për transferimin e burrit të saj nuk merret parasysh, ndërsa vetë ajo është e lirë të shkojë edhe në Shkodër për të jetuar, pranë njerëzve të saj.

/Memorie.al

Burimi: gazetashqiptare.al

Të fundit Të gjitha