Një numër gjithnjë e më i madh shtetesh po bashkohet kundër një vendimi gjyqësor që i lejon Rusisë të rikthehet në garat ndërkombëtare të hokejit mbi akull. Shtetet kanë paralajmëruar se nuk do të luajnë kundër ekipeve ruse, gjë që rrezikon Kampionatin Botëror të hokejit mbi akull të paraparë për vitin e ardhshëm.
Rusia përjashtohet nga garat që nga viti 2022
Rusia, një fuqi e madhe në hokejin mbi akull, është përjashtuar nga garat ndërkombëtare nga Federata Ndërkombëtare e Hokejit mbi Akull (IIHF) që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Më 30 tetor, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) vendosi se federata duhet t’i rikthejë ekipet ruse, duke filluar nga Kampionati Botëror për të Rinj, që do të mbahet muajin e ardhshëm në Kanada. IIHF-ja tha se nuk pajtohet me vendimin, por do ta zbatojë.
Reagimet e Ukrainës dhe të vendeve evropiane
Vendimi nxiti kritika të ashpra nga Ukraina dhe nga shumë vende me tradita në hokejin mbi akull që e mbështesin Kievin. Ukraina tha se vendimi po “njollos akullin me gjakun ukrainas” dhe u bëri thirrje partnerëve të saj të mbajnë qëndrim të fortë kundër rikthimit të Rusisë.
“Rusia dhe Bjellorusia po e mbështesin këtë luftë të paligjshme, të pajustifikuar dhe të tmerrshme në Ukrainë. Për sa kohë që kjo luftë vazhdon, asnjë nga këta sportistë nuk do të garojë për vendet e tyre në Kanada”, tha kryeministri kanadez, Mark Carney, më 3 nëntor.
Kanadaja do të jetë mikpritëse e Kampionatit Botëror për të Rinj pas më pak se dy muajsh. Ky do të ishte turneu i parë i madh me pjesëmarrje ruse që nga Lojërat Olimpike të Pekinit në vitin 2022, pak ditë para se Kremlini të niste pushtimin e Ukrainës.
Të paktën gjashtë shtete evropiane, përfshirë Suedinë, Republikën Çeke, Norvegjinë, Danimarkën, Letoninë dhe Finlandën, kanë thënë se do të refuzojnë të luajnë kundër Rusisë, pavarësisht vendimit gjyqësor. Finlanda është kampione në fuqi në kategorinë e meshkujve.
Federata Gjermane e Hokejit, e cila do të organizojë Kampionatin Botëror në maj të vitit 2027, ka deklaruar se vendimi “e ndryshon krejtësisht situatën” për të si vend mikpritës. Kryetari i federatës, Frank Lutz, tha se lejimi i pjesëmarrjes së Rusisë do të kishte pasoja serioze për sigurinë, por edhe politike dhe ekonomike. “Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar: ne e kundërshtojmë rikthimin e ekipeve ruse në turnetë ndërkombëtare të hokejit mbi akull”, tha ai.
Disa sponsorë të kamotshëm të Kampionatit Botëror për meshkuj, përfshirë kompaninë suedeze AJ Products, prodhuesin gjerman STRAUSS dhe prodhuesin çek Skoda Auto, janë zotuar se do ta rishqyrtojnë përfshirjen e tyre nëse sportistët rusë marrin pjesë.
Qëndrimi i Moskës dhe i federatës ndërkombëtare
Autoritetet ukrainase kanë thënë vazhdimisht se qindra sportistë ukrainas janë vrarë në luftë dhe se qindra objekte sportive janë dëmtuar ose shkatërruar nga sulmet ajrore ruse. Ministri i jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, tha më 4 nëntor se “Rusia do të ndëshkohet në akull”, duke shtuar se Moska “ende beson se mund t’i fshehë krimet e saj pas një fanelle të hokejit”.
Moska duket se i minimizoi reagimet. Ministri rus i Sportit, Mikhail Degtyarev, u shpreh se “bota është shumë më e madhe se Skandinavia apo shtetet baltike”.
Në vendimin e saj, CAS-i tha se arsyetimet e IIHF-së për vazhdimin e ndalimit, përfshirë shqetësimet për sigurinë, “nuk mbështeteshin në prova të mjaftueshme”. Gjykata nuk i dha federatës asnjë udhëzim se si ta riintegrojë Rusinë pas kaq vitesh mungesë.
IIHF-ja tha më 4 nëntor se riintegrimi i menjëhershëm paraqet “sfida të mëdha praktike dhe sportive”, duke përmendur kërkesat për viza, masat e sigurisë, kufizimet logjistike dhe kohën e shkurtër që mbetet para garave.
Çfarë pritet më pas
Vendimi i CAS-it nuk vlen për Kampionatin Botëror të Hokejit për Femra, që nis më 6 nëntor në Danimarkë, kështu që Rusia nuk do të garojë atje. Ekipi kombëtar rus i meshkujve ka fituar pesë kampionate botërore dhe një medalje të artë olimpike që nga viti 1992. Ekipet sovjetike, para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kishin fituar 22 tituj botërorë dhe shtatë medalje të arta olimpike.
Burimi: abcnews.al










