Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Gërvalla: Mbrojtja e fëmijëve online është detyrim kushtetues

Gërvalla: Mbrojtja e fëmijëve online është detyrim kushtetues
Foto: pressonline.al

Forcimi i mbrojtjes ligjore për fëmijët

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka theksuar rëndësinë e forcimit të mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi dhe shfrytëzimi seksual, me fokus të veçantë rreziqet që vijnë nga platformat digjitale.

Në përmbyllje të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi, Gërvalla ka adresuar qëndrimet e Kosovës në panelin kushtuar mbrojtjes së fëmijëve, duke vënë në pah nevojën që legjislacioni penal të përfshijë të gjitha format e abuzimit, përfshirë edhe fenomenin e njohur si “grooming”, përmes të cilit abuzuesit joshin dhe manipulojnë gradualisht fëmijët në internet.

Ajo ka theksuar se institucionet nuk duhet të presin që abuzimi të ndodhë për të ndërhyrë, por duhet të veprojnë në mënyrë parandaluese, në përputhje me standardet e Konventës së Lanzarotes.

Garancitë procedurale dhe bashkëpunimi rajonal

Gërvalla ka veçuar edhe garancitë që ofron Kodi i Drejtësisë për të Mitur, përfshirë kufizimin e marrjes në pyetje të fëmijës viktimë në vetëm dy herë dhe përdorimin e deklaratave të regjistruara me video si prova në procedurat gjyqësore.

Ministrja ka kërkuar gjithashtu që mbrojtja e fëmijëve të përfshijë ndihmën juridike falas, mbështetjen mjekësore dhe psikologjike, si dhe bashkëpunimin më të madh ndërmjet institucioneve të vendeve të rajonit.

Si një nga fushat konkrete të bashkëpunimit, ajo ka propozuar organizimin e trajnimeve të përbashkëta për intervistimin e fëmijëve dhe përdorimin e dëshmive, me qëllim sigurimin e provave të besueshme dhe shmangien e ritraumatizimit të viktimave.

Në fund, Gërvalla ka ritheksuar se mbrojtja e fëmijëve është detyrim kushtetues i Republikës së Kosovës dhe se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm për të garantuar mbrojtje efektive edhe në praktikë.

Burimi: pressonline.al

Të fundit Të gjitha