Një tjetër produkt i tregtuar në Shqipëri po tërhiqet nga tregu pas një sinjalizimi nga jashtë vendit.
Analizat laboratorike të kryera në Belgjikë kanë zbuluar tejkalim të kufirit të lejuar të migrimit të një substance kimike në një spatul kuzhine. Ky rast e sjell përsëri në vëmendje efektivitetin e kontrolleve të sigurisë së produkteve në tregun vendas.
Produkti dhe substanca e gjetur
Sipas Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut, bëhet fjalë për produktin “Nylon Serving Spatula 33cm”, të tregtuar nga ARTEG GROUP. Përmes sistemit europian të alarmit RASFF, autoritetet belge kanë raportuar se substanca 4,4’-diaminodiphenylmethane (MDA) migron nga materiali i produktit në nivele mbi kufirin e lejuar.
Megjithatë, rasti është klasifikuar si risk jo serioz për shëndetin e njeriut. Kjo do të thotë se konstatimi i tejkalimit të normave nuk duhet interpretuar automatikisht si provë e dëmtimit të shëndetit të konsumatorëve.
Kontrollet në Shqipëri
Rasti vjen në një kohë kur të dhënat e mbikëqyrjes së tregut tregojnë se gjatë vitit 2025, në Shqipëri u kryen 2.445 inspektime dhe u kontrolluan 5.794 produkte, nga të cilat 74 rezultuan me jokonformitete, ose 1,27% e totalit.
Sipas raportit vjetor të ISHMT-së, në vitin 2024 ishin evidentuar 118 jokonformitete nga 8.684 produkte të kontrolluara. Ndërkohë, numri i masave urgjente zbriti nga 3 në vitin 2024 në 2 gjatë vitit 2025. Nga ana tjetër, numri i produkteve të kontrolluara në Shqipëri ra me rreth 33% gjatë vitit 2025.
Këto shifra nuk përfaqësojnë numrin e produkteve të tërhequra nga tregu, por rastet e mospërputhjeve të konstatuara gjatë kontrolleve.
Krahasimi me Bashkimin Europian
Për krahasim, në Bashkimin Europian, sistemi Safety Gate regjistroi 4.671 alarme për produkte të rrezikshme joushqimore gjatë vitit 2025, 13% më shumë se një vit më parë. Kjo shifër përfshin të gjithë rrjetin europian dhe nuk është drejtpërdrejt e krahasueshme me jokonformitetet e evidentuara nga ISHMT në Shqipëri.
Çfarë duhet të bëjnë konsumatorët
Për produktin e identifikuar në Belgjikë, kompania ARTEG GROUP ka njoftuar tërheqjen nga tregu. Konsumatorët që kanë blerë spatulën me barkod 5413821079684 duhet të ndërpresin përdorimin e saj në kontakt me ushqimin dhe mund ta kthejnë në dyqanet e kompanisë për të marrë rimbursimin e plotë.
Autoritetet shqiptare nuk kanë publikuar numrin e njësive të shitura apo sasinë e produktit të tërhequr, duke lënë të paqartë përmasat e qarkullimit të tij në tregun vendas.
Burimi: vip-magazine.al









