Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Shella: SHBA ka ndikim vendimtar në luftën kundër krimit transnacional

Shella: SHBA ka ndikim vendimtar në luftën kundër krimit transnacional
Foto: euronews.al

Deklaratat e ambasadorit amerikan për bashkëpunimin me Shqipërinë në luftën kundër krimit transnacional kanë rikthyer vëmendjen te roli i SPAK-ut dhe marrëdhënia e institucioneve shqiptare të drejtësisë me partnerët ndërkombëtarë.

Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe roli i SPAK-ut

Analisti Gerti Shella, i ftuar këtë të premte në emisionin “Review” me Greta Topjanën në Euronews Albania, argumentoi se mesazhi i ambasadorit amerikan përfshin drejtpërdrejt SPAK-un, për shkak të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit në hetimin e krimit që kalon kufijtë shtetërorë.

Sipas Shellës, përtej bashkëpunimit me qeverinë shqiptare, një tjetër derë e rëndësishme e bashkëpunimit amerikan është pikërisht ajo e institucioneve të drejtësisë.

“Po, deklarata e tij e parë e implikon qartësisht që do ta ketë partner institucional drejtësinë, por teksa ai flet më shumë për hetimin e krimit transnacional implikohet me patjetër SPAK-u, i cili ka dhe marrëveshje ndërkombëtare që e obligon, e detyron”, u shpreh Shella.

Ai theksoi se natyra ndërkombëtare e krimit e bën të domosdoshëm bashkëpunimin mes institucioneve të drejtësisë të vendeve të ndryshme.

“Përveç qeverisë, me të cilën e lidh nevoja apo dëshira për prosperitet të dyanshëm, si të amerikanëve dhe të shqiptarëve, pjesa tjetër ose dera e dytë me të cilën do të, ose që adresoi ambasadori sot dhe në mesazhin e tij, është ajo e SPAK-ut apo institucioneve të drejtësisë”, deklaroi analisti.

Kritika mbi praninë e SPAK-ut në debatin publik

Megjithatë, Shella bëri edhe një koment kritik për praninë e SPAK-ut në deklaratat e diplomatëve të huaj, duke argumentuar se prokuroria nuk duhet të identifikohet me të gjithë sistemin e drejtësisë.

“Vetë do të kisha pasur dëshirë që SPAK-u gradualisht të dilte nga ligjërimi i diplomatëve, sepse SPAK-u është njëra ndër palët në proceset penale. Pra, ajo adreson akuzën publike, ndërkohë që mbrojtja garanton të drejtat procedurale, të drejtat njerëzore, po të doni”, u shpreh ai.

Analisti ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën se si është ndërtuar debati publik për drejtësinë në Shqipëri, duke vënë në dukje se vëmendja është përqendruar te SPAK-u, ndërsa roli i gjykatave mbetet më pak i diskutuar.

Sipas tij, në disa raste, mënyra se si prokuroria ka trajtuar procedimet penale dhe akuzat publike ka krijuar shqetësime për raportin mes akuzës dhe mbrojtjes.

“Duket se për debatin tonë të brendshëm SPAK-u e ka tejkaluar shpeshherë të drejtën e vetë, duke e kthyer në padrejtësi mënyrën se si e ka adresuar procedimin penal apo akuzën publike. Mbrojtja nuk ka mundur dot të bëjë maksimumin dhe gjykata ka ngelur aty. Domethënë, askush nuk e prek, askush nuk flet për të. Por vendimin në emër të Republikës e vendos gjykata. Jo SPAK-u, jo avokatët, jo akuza publike, jo të pandehurit, por gjykata”, deklaroi Shella.

Ai theksoi se besimi i publikut duhet të ndërtohet mbi institucionin që merr vendimin përfundimtar dhe jo vetëm mbi organin që ngre akuzën.

“Ne duhet të fillojmë të flasim ndoshta vetë, kur të tjerët nuk flasin, për gjykatën dhe për drejtësinë, sepse në finale ajo ka dhe i duhet të restaurojë besimin publik. Nuk e restauron prokurori besimin publik. Prokurori mund të jetë dhe tirani. Po ashtu avokati mund të jetë i aftë, mund të jetë dhe i paaftë”, tha ai.

Në vijim, Shella nënvizoi se në një proces penal palët duhet të jenë të barabarta përpara drejtësisë dhe se besimi nuk duhet të përqendrohet vetëm te institucioni i akuzës.

“Besimi duhet të jetë tek drejtësia dhe jo tek ai që bën akuzën. Ai që bën akuzën është i barabartë përballë atij që është i akuzuar”, theksoi analisti.

Roli i mbrojtjes ligjore

Duke iu referuar sistemit amerikan, ai shtoi se mbrojtja ligjore ka një rol të rëndësishëm në garantimin e balancës mes prokurorisë dhe të pandehurit.

“Madje në sistemin amerikan avantazhimin më të madh e kanë avokatët. Një studio e fortë ligjore është ku e ku më në epërsi sesa një prokuror që paguhet me një rrogë shteti dhe ka kufizimet e veta”, përfundoi Shella.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha