Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Prokuroria hap hetime për hyrjen e paautorizuar në llogarinë e Përparim Ramës

Prokuroria hap hetime për hyrjen e paautorizuar në llogarinë e Përparim Ramës
Foto: lajmifundit.al

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme parahetimore lidhur me rastin e pretenduar të qasjes së paautorizuar në llogarinë bankare të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Prokuroria ka konfirmuar se rasti tashmë është pranuar dhe se hetimet janë në fazën parahetimore.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se rasti në fjalë është pranuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Lidhur me këtë rast, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme parahetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit. Megjithatë, duke marrë parasysh fazën aktuale të procedurës penale, për momentin nuk mund të ofrojmë detaje shtesë lidhur me këtë çështje, sepse mund të cenohet mbarëvajtja e procesit hetimor”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për lajmi.net.

Raiffeisen Bank thotë se ka zhvilluar hetim dhe ka njoftuar autoritetet

Ndërkohë, lidhur me të njëjtin rast ka reaguar dje edhe Raiffeisen Bank, e cila ka konfirmuar se ka pranuar dhe trajtuar ankesën e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Në përgjigjen për lajmi.net, banka ka bërë të ditur se pas hetimit dhe shqyrtimit të rastit ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, përfshirë njoftimin e autoriteteve kompetente.

“Ju konfirmojmë se ankesa nga Kryetari i Prishtinës, z. Përparim Rama, është trajtuar në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullatore. Pas hetimit dhe shqyrtimit të rastit, kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi, përfshirë edhe njoftimin e autoriteteve kompetente”, thuhet në përgjigjen e bankës.

Megjithatë, institucioni bankar nuk ka sqaruar nëse hetimi i brendshëm ka vërtetuar përfundimisht se një punonjës i saj ka pasur qasje të paautorizuar në llogarinë e Ramës, ndërsa as nuk ka dhënë detaje për veprimet konkrete të ndërmarra ndaj tij.

Banka ka theksuar se mbrojtja e të dhënave personale dhe konfidencialiteti bankar janë ndër prioritetet e saj.

“Sigurojmë klientët se Banka Raiffeisen i kushton rëndësi të posaçme mbrojtjes së të dhënave të tyre personale dhe ruajtjes së konfidencialitetit bankar”, thuhet më tej në reagim.

Në fund, banka ka bërë të ditur se nuk mund të ndajë informacione të tjera në këtë fazë.

Si u bë publik rasti?

Rasti u bë publik pas raportimeve se një punonjës i Raiffeisen Bank dyshohet se kishte hyrë pa autorizim në llogarinë bankare të Përparim Ramës dhe kishte shpërndarë të dhëna personale të tij, përfshirë informacione mbi gjendjen dhe transaksionet bankare.

Nga Komuna e Prishtinës ishte bërë e ditur se Rama kishte paraqitur ankesë zyrtare në bankë, duke kërkuar sqarime për atë që e kishte cilësuar si shkelje të privatësisë dhe konfidencialitetit bankar.

Sipas Zyrës për Media të Komunës, banka e kishte informuar kryetarin se punonjësi përgjegjës ishte identifikuar dhe ishte larguar nga puna.

Megjithatë, në reagimin e saj për lajmi.net, Raiffeisen Bank nuk e ka konfirmuar shprehimisht largimin e punonjësit, por ka pohuar se ka zhvilluar hetim dhe ka njoftuar autoritetet kompetente.

Ndërkaq, me përfshirjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, rasti tashmë po trajtohet edhe në rrugë penale, ndërsa pritet që hetimet të sqarojnë rrethanat dhe përgjegjësitë eventuale.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha