Arrestimi i Erion Veliajt ishte i padrejtë dhe shkarkimi i tij nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës antikushtetues, por lufta që kryebashkiaku ka hapur me kryeministrin Edi Rama është një gabim që mund ta çojë në qorrsokak. Kështu u shpreh avokati Idajet Beqiri, i ftuar në emisionin “Studio Live” në Report TV, ku komentoi ‘përplasjen’ mes dy socialistëve dhe betejën ligjore të Veliajt.
Kritika ndaj arrestimit dhe masës së sigurisë
Beqiri mbrojti qëndrimin se SPAK nuk duhej të kërkonte arrestimin e një kryebashkiaku të zgjedhur, pasi ndaj tij mund të vendosej një masë tjetër sigurie që do t’i mundësonte të vazhdonte detyrën. Sipas tij, Veliaj duhet të qëndrojë në krye të bashkisë deri në zgjedhjet e 9 majit 2027.
“Burgosja e Veliajt ka qenë e padrejtë, një vendim arbitrar i SPAK dhe paragjykues ndaj tij, më shumë politik ishte arrestimi. Duke qenë kryetar i zgjedhur bashkie, ndaj tij mund të merrej një masë tjetër sigurie dhe të lihej ta ushtronte funksionin e vet. Edhe shkarkimin e tij e kam konsideruar antikushtetues. Derisa të zgjidhet kryetari tjetër i bashkisë më 9 maj, Veliaj duhet ta ushtrojë detyrën”, tha Beqiri.
Gabimi i përplasjes me Ramën
Por ndërsa mbrojti Veliajn përballë veprimeve të drejtësisë, avokati kritikoi ashpër strategjinë e tij për t’u përballur politikisht me Ramën. Sipas Beqirit, kryebashkiaku po përpiqet ta paraqesë çështjen e tij si persekutim politik, një rrugë që ai e konsideron të pabesueshme dhe pa rezultat.
“Por frontin e luftës që ai ka hapur me kryeministrin dhe kryetarin e PS-së, Edi Rama, e kam konsideruar pa sens. Është një luftë me mullinjtë e erës. Duket shumë e sforcuar. Ai po futet në një qorrsokak. Projektet mund t’i ketë të mira, mbase arrin diku me këto synime në Strasburg. Sulmet ndaj Dados nuk e çojnë në persekutim politik”, u shpreh ai.
Kush përfiton nga largimi i Veliajt
Beqiri argumentoi se kundërshtarët politikë që kërkuan largimin e Veliajt nga Bashkia e Tiranës kanë qenë të hapur në qëndrimet e tyre. Ai drejtoi gishtin nga opozita dhe Sali Berisha, të cilët, sipas tij, kërkuan për muaj me radhë arrestimin e kryebashkiakut.
“Kush kishte interes për ta zhdukur nga politika? Ata dolën hapur, ishte opozita me Berishën në krye që për ditë e muaj me radhë i vinin flakën bashkisë dhe kërkonin arrestimin e Veliajt, derisa e finalizuan me një kallëzim penal anonim që bëri që Veliaj të jetë pas hekurave”, deklaroi Beqiri.
Procesi penal nuk është politik
Sipas avokatit, përplasja me Ramën nuk mund ta kthejë automatikisht procesin penal ndaj Veliajt në një çështje politike. Ai tha se kryebashkiaku duhet të përqendrohet te mbrojtja juridike dhe kundërshtimi i akuzave, të cilat vetë Beqiri i konsideron të pabazuara.
“Të nisësh luftën me kryeministrin duke thënë që më persekuton ai, që të përfitosh politikisht në Strasburg, nuk është e arritshme sepse është e pabesueshme, por është një fitore si e Pirros. Ti mund të dalësh nga arresti me burg, por procesi nuk është politik. Ai duhet të mbrohet juridikisht në proces, ndonëse akuzat nuk qëndrojnë, sërish kërkojnë përballje. Pra, nuk e kthen dot politike”, tha ai.
Përplasja me Partinë Socialiste
Në fund, Beqiri e cilësoi gabim edhe përplasjen e Veliajt me Partinë Socialiste, duke kujtuar mbështetjen që, sipas tij, kryebashkiaku ka marrë nga kjo forcë politike.
“Veliaj po bën gabim se po i kundërvihet asaj force politike së cilës i ka detyrime të jashtëzakonshme”, përfundoi Beqiri.
Burimi: shqiptarja.com










