Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Dy të dyshuar arrestohen në Kumanovë për zhvatje dhe pastrim parash

Dy të dyshuar arrestohen në Kumanovë për zhvatje dhe pastrim parash
Foto: albeu.com

Dy prej të dyshuarve në hetimin për bashkim kriminal, pastrim parash dhe zhvatje në Kumanovë do të qëndrojnë në paraburgim deri në 30 ditë, ndërsa për dy të tjerë janë vendosur arrest shtëpiak dhe masa kujdesi. Vendimet për katër personat u morën nga gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit, me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Vendimet e gjykatës

Sipas njoftimit të Gjykatës, propozimet e prokurorit publik u miratuan pasi të dyshuarit u dëgjuan në praninë e avokatëve mbrojtës. Për D.P. dhe M.K. u vendos paraburgim deri në 30 ditë, mbi bazën e nenit 165, paragrafi 1, pikat 1, 2 dhe 3 të Ligjit për Procedurë Penale. Si arsye u vlerësuan rreziku i arratisjes, mundësia e përsëritjes ose e përfundimit të veprës penale dhe rreziku që hetimi të pengohet përmes ndikimit te dëshmitarët.

Për L.K. gjykatësi vendosi masën e arrestit shtëpiak. Ndaj D.Zh. u caktuan masa kujdesi që parashikojnë konfiskimin e dokumentit të udhëtimit, si dhe ndalimin e lëshimit të një dokumenti të ri për kalimin e kufirit shtetëror.

Në kërkesën e Prokurorisë Publike përfshihet edhe një person tjetër, i cili për momentin nuk është i disponueshëm për organet e zbatimit të ligjit, bëri të ditur Gjykata Themelore Penale në Shkup. Kundër vendimeve, palët mund të paraqesin ankim pranë Këshillit Penal të kësaj gjykate.

Kallëzimet dhe aksioni policor

Më herët, Ministria e Brendshme kishte njoftuar për kallëzime penale ndaj pesë personave për veprat penale “zhvatje” dhe “pastrim parash dhe të ardhurave të tjera nga një vepër penale”. Kallëzimet pasuan aksionin e koordinuar policor të zhvilluar dje nga Departamenti për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë në Ministrinë e Brendshme, nën drejtimin e një prokurori publik të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Gjatë operacionit u godit një grup kriminal i organizuar me pesë anëtarë nga Kumanova.

Siç bëri të ditur Ministria e Brendshme, gjatë ndërhyrjes u privuan nga liria D.P. (37), L.K. (73), M.K. (27) dhe D.Zh. (43), që të gjithë nga Kumanova. Personi i pestë i dyshuar, Z.R. (35), mbetet i padisponueshëm për organet e zbatimit të ligjit.

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha