Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Konkursi për 3.000 bursa studentore në vitin akademik 2026/2027 hapet

Konkursi për 3.000 bursa studentore në vitin akademik 2026/2027 hapet
Foto: albeu.com

Për vitin akademik 2026/2027, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka hapur një konkurs të ri, përmes të cilit do të ndahen 3.000 bursa për studentët. Sipas njoftimit të MASH-it, shpërndarja do të ndjekë një model të ndryshëm nga ai i viteve të mëparshme.

Kërkesat pranohen nga 6 deri më 20 nëntor 2026 dhe dorëzohen vetëm në formë elektronike, në portalin e-uslugi.mon.gov.mk.

Skema e re e bursave

Skema e re ndërthur përkrahjen për studentët në gjendje të cenueshme sociale me shpërblimin e rezultateve akademike dhe nxitjen e përgatitjes së profesionistëve në fusha me rëndësi strategjike për shtetin.

Nga 1.200 bursat e parashikuara për mbështetje sociale, për herë të parë do të ndahen veçmas 50 për studentët me aftësi të kufizuara dhe 50 për studentët me sëmundje të rralla. Ministria e cilëson këtë masë si një hap drejt arsimit gjithëpërfshirës dhe mundësive të barabarta, duke marrë parasysh nevojat specifike të këtyre studentëve dhe të drejtën e tyre për arsimim dhe zhvillim akademik.

Bursat strategjike

Një tjetër risi është krijimi i kategorisë së bursave strategjike, me gjithsej 1.050 përfitues. Kjo mbështetje u drejtohet studentëve të fushave që vlerësohen si veçanërisht të rëndësishme për zhvillimin e ardhshëm të shtetit.

Programet e përfshira janë përcaktuar nga Këshilli Nacional për Arsim të Lartë dhe Veprimtari Kërkimore-Shkencore, me Vendimin nr. 1410-183, të datës 3 nëntor 2026. Në listë përfshihen matematika, fizika, kimia, bujqësia, pylltaria, biologjia për mësimdhënie dhe xehetaria.

Sipas MASH-it, synimi është të nxiten të rinjtë të zgjedhin këto drejtime dhe të përgatiten kuadro profesionale në përputhje me nevojat e shoqërisë dhe ekonomisë.

Bursat për rezultate akademike

Për rezultatet e larta në studime janë parashikuar 750 bursa. Përfitues mund të jenë studentët me mesatare të paktën 8.50, që i përmbushin në mënyrë të vazhdueshme detyrimet akademike.

MASH-i thekson se kjo kategori shërben për të vlerësuar dijen, angazhimin dhe punën e studentëve që dallohen me arritjet e tyre.

Vlerat e bursave

Bursat strategjike kanë vlerë mujore prej 18.000 denarësh. Për kategorinë sociale dhe atë të suksesit të lartë akademik, pagesa mujore është 6.050 denarë. Në të gjitha rastet, bursat paguhen për nëntë muaj të vitit akademik.

Institucioni sqaron se kategoritë e reja dhe rishpërndarja e mjeteve nuk e ndryshojnë numrin e përgjithshëm prej 3.000 bursash. Sipas tij, mbështetja nuk po pakësohet, por po drejtohet më mirë.

Konkurse të tjera

Ndërkohë, vijon pranimi i aplikimeve për konkursin e 15 bursave për studentët e regjistruar në vitin e parë të programeve studimore në gjuhën maqedonase, për vitin akademik 2026/2027. Ky konkurs është shpallur në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhës maqedonase. Informacionet e mëtejshme gjenden në adresën: https://mon.gov.mk/mk-MK/konkursi-i-stipendii/stipendii-mon/stipendii-za-studii-po-makedonski-jazik-prv-ciklus

Gjithashtu, është i hapur konkursi për rimbursimin e mjeteve të shpenzuara për blerjen e instrumenteve muzikore për vitin akademik 2026/2027.

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha