Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Sylvester Stallone: nga refuzimet te suksesi i Rocky

Sylvester Stallone: nga refuzimet te suksesi i Rocky
Foto: kultplus.com

Historia e Sylvester Stallone, aktorit që nga vështirësitë financiare dhe refuzimet në industrinë e filmit arriti të krijojë një prej personazheve më ikonike të kinemasë, po rikthehet në vëmendje përmes filmit të ri “I Play Rocky”, i cili sjell rrugëtimin e krijimit të dramës së njohur të boksit “Rocky”.

Në vitin 1976, filmi “Rocky” e shndërroi Stallonen, deri atëherë një aktor dhe skenarist pak i njohur, në një prej emrave më të kërkuar të Hollywoodit. Megjithatë, suksesi i tij nisi në rrethana krejt të kundërta. Në fillim të viteve 1970, ai përballej me vështirësi të mëdha financiare në New York, ndërsa përpiqej të siguronte role në filma dhe punonte në kushte të rënda për të përballuar jetesën.

Për shkak të vështirësive në të folur dhe paralizës së pjesshme të fytyrës, pas komplikimeve gjatë lindjes, Stallone shpesh nuk merrej seriozisht si aktor. Ai megjithatë vazhdoi të ndiqte ëndrrën e tij dhe, i zhgënjyer nga refuzimet dhe rolet që i ofroheshin, vendosi të shkruante vetë histori ku mund të luante personazhe të tjerë.

Ideja e “Rocky”

Kështu lindi ideja për “Rocky”, personazhin e një boksieri nga Philadelphia, Rocky Balboa, i cili merr mundësinë të përballet me kampionin e botës në peshat e rënda, Apollo Creed, pavarësisht se pothuajse askush nuk beson në mundësitë e tij për të fituar.

Sipas kujtimeve të Stallones në librin e tij “The Steps”, skenarin e filmit e shkroi brenda vetëm tri ditësh. Ai e shihte historinë si një pasqyrim të ndjenjave të tij personale, veçanërisht të refuzimit dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të gjetur një mundësi në industrinë e filmit.

Sylvester Stallone: nga refuzimet te suksesi i Rocky

“Rocky ishte në thelb shansi i tij i vetëm për atë që dëshironte”, ka deklaruar aktori Anthony Ippolito, i cili luan Stallonen në filmin e ri “I Play Rocky”.

Realizimi dhe suksesi

Gjatë përpjekjeve për realizimin e filmit, studioja United Artists i ofroi Stallones shuma gjithnjë e më të mëdha parash për të shitur skenarin, me kusht që rolin kryesor t’ia linte një aktori tjetër të njohur të kohës, si Burt Reynolds apo Ryan O’Neal. Megjithatë, ai këmbënguli që të ishte vetë interpretuesi i Rocky Balboas, edhe pse kjo nënkuptonte rrezikimin e mundësisë për realizimin e projektit.

Përfundimisht, filmi u realizua me një buxhet prej rreth një milion dollarësh dhe u xhirua për vetëm 28 ditë, nën regjinë e John G. Avildsen. Për shkak të kufizimeve financiare, shumica e skenave u realizuan me pak përsëritje, ndërsa një prej momenteve më të njohura të filmit, ku Rocky godet copat e mishit të ngrira, i shkaktoi dëmtime të përhershme nyjeve të gishtërinjve të Stallones.

Pavarësisht skepticizmit fillestar të studios, “Rocky” u shndërrua në filmin me arkëtimet më të larta të vitit 1976 dhe mori dhjetë nominime për çmimet Oscar, duke fituar tri prej tyre, përfshirë çmimin për filmin më të mirë në ceremoninë e vitit 1977. Stallone u nominua gjithashtu për aktorin më të mirë dhe skenarin më të mirë origjinal.

Sylvester Stallone: nga refuzimet te suksesi i Rocky

Suksesi i filmit solli disa vazhdime dhe më vonë edhe serinë “Creed”, me Michael B. Jordan në rolin kryesor, duke e mbajtur gjallë universin filmik të krijuar nga Stallone.

Ndikimi i personazhit

Sipas gazetarit Mike Sielski, autor i librit “Going the Distance”, një nga arsyet pse “Rocky” vazhdon të ketë ndikim është vetë mesazhi i tij. Personazhi nuk ka nevojë ta fitojë ndeshjen për t’u shndërruar në simbol të qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes.

Edhe eksperti i filmit Nick de Semlyen vlerëson se Stallone krijoi një model të ri të heroit që nuk dorëzohet, një figurë që më pas u bë pjesë e rëndësishme e shumë filmave aksion.

Ndërkohë, filmi “I Play Rocky”, me regji të Peter Farrelly dhe Anthony Ippolito në rolin e të riut Sylvester Stallone, sjell në ekran rrugëtimin e vështirë pas krijimit të një prej filmave më të njohur në historinë e kinemasë. Filmi është publikuar më 6 nëntor 2026 në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë dhe Amerikën e Veriut./KultPlus.com

Sylvester Stallone: nga refuzimet te suksesi i Rocky

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha