Muzeu Abbey House në Kirkstall të Leedsit pritet të hyjë në një fazë të re modernizimi, përmes një projekti që synon të përmirësojë përvojën e vizitorëve dhe të ruajë trashëgiminë historike të institucionit, i cili u hap në vitin 1927.
Planet për muzeun, i cili është i mbrojtur si objekt i kategorisë Grade II, përfshijnë transformimin e rrugëve të tij të rikrijuara viktoriane, duke u ofruar vizitorëve përvoja më interaktive dhe mundësi për t’u përfshirë drejtpërdrejt në ekspozita. Gjithashtu, parashihen hapësira të reja ekspozuese dhe përmirësime në ambientet ekzistuese.
Propozimi dhe reagimi i publikut
Projekti vjen pas shqyrtimit të mundësisë për mbylljen e muzeut në vitin 2024, si pjesë e propozimeve buxhetore të këshillit të qytetit të Leedsit. Megjithatë, reagimi i fortë i publikut dhe kundërshtimi përmes një peticioni bënë që institucioni të mos mbyllej. Rreth 10 mijë persona morën pjesë në konsultimet publike të organizuara nga këshilli.

Këshilltarja Salma Arif, anëtare ekzekutive e Këshillit të Qytetit të Leedsit për ekonominë, i ka cilësuar propozimet si një “drejtim të ri dhe ambicioz” për muzeun. Ajo ka theksuar se konsultimet publike dëshmuan përkushtimin e komunitetit për të ardhmen e këtij institucioni.
“Ne duam ta kanalizojmë këtë entuziazëm në krijimin e një atraksioni që mund të vazhdojë të mirëpresë vizitorë edhe për shumë vite të ardhshme”, ka deklaruar Arif.
Financimi dhe hartimi i planeve
Projekti i njohur si “Reimagining Project” mbështetet nga Këshilli i Qytetit të Leedsit dhe Fondi për Rinovimin e Muzeve, në kuadër të Departamentit për Kulturë, Media dhe Sport të Mbretërisë së Bashkuar. Planet janë hartuar pas konsultimeve me stafin e muzeut, grupet e historisë lokale dhe familjet.
Një tjetër synim i projektit është që të eksplorohen më gjerësisht rrënjët historike të ndërtesës, përfshirë rolin e saj fillestar si portë hyrëse e Abacisë së Kirkstallit, para shpërbërjes së manastireve në Angli.
Hapat e ardhshëm
Në kuadër të këtij transformimi, për vitin 2027 është planifikuar edhe një ekspozitë e veçantë për të shënuar 100-vjetorin e themelimit të muzeut.
Planet do të diskutohen fillimisht me komunitetin, stafin dhe palët e tjera të interesuara, përpara se të paraqitet një aplikim për sigurimin e financimit të jashtëm. Ndërkohë, një takim informues për publikun do të mbahet në ambientet e muzeut të dielën./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










