Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

Pamjet e dhunës dëmtojnë imazhin e vendit, Unioni Turistik Shqiptar kërkon mbrojtjen e investimeve

Pamjet e dhunës dëmtojnë imazhin e vendit, Unioni Turistik Shqiptar kërkon mbrojtjen e investimeve

Unioni Turistik Shqiptar ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me gjendjen e trazuar që ka mbizotëruar këto ditë në Tiranë për shkak të protestave me dhunë.

Në një deklaratë publike, sipërmarrësit e sektorit të turizmit theksojnë se imazhet e dhunës dhe të pasigurisë që transmetohen nga mediat ndërkombëtare po dëmtojnë imazhin e vendit.

“Ngjarjet e ditëve të fundit, sidomos pamjet e dhunës dhe të pasigurisë që shpërndahen në mediat ndërkombëtare, rrezikojnë të kenë ndikim negativ në imazhin e vendit, në besimin e turistëve dhe në marrëdhëniet me operatorët e huaj, me të cilët kemi ndërtuar një partneritet të besueshëm, të cilët mbi të gjitha e kanë vlerësuar Shqipërinë për mikpritjen dhe sigurinë” thuhet në deklaratë.

Pas akteve vandale me sulme e djegie ndaj bizneseve në kryeqytet nga persona të maskuar, Unioni Turistik u bën thirrje protestuesve të distancohen nga këto veprime dhe të ruajnë karakterin paqësor të protestës.

“Duke pasur parasysh që në këtë sektor kanë investuar shumë sipërmarrës të ndershëm, shumë familje shqiptare kanë investuar kursimet e fëmijëve të tyre në emigracion, duhet që bashkërisht të mbrojmë investimet, sepse këto nuk janë pronë e një qeverie apo force politike.”

Një apel sipërmarrësit e turizmit ia drejtojnë edhe institucioneve shtetërore për të gjetur zgjidhje të negociuar me qëllim kthimin në normalitet.

“Unioni Turistik Shqiptar u bën thirrje institucioneve shtetërore dhe drejtuesve të shtetit të shmangin retorikën nxitëse dhe të krijojnë hapësirë për dialog, në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje të negociuar për të ndaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës me qëllim që të kthehet normaliteti dhe të mos ketë pasoja akoma më të rënda për njerëzit dhe ekonominë” thuhet më tej

Deklarata e plotë

“Unioni Turistik Shqiptar po ndjek me shqetësim protestat e studentëve dhe të rinjve që po zhvillohen në Tiranë dhe disa qytete të Shqipërisë, të cilat kanë shkaktuar përplasje dhe tensione sociale duke sjellë lëndime të protestuesve dhe të forcave të rendit.

E drejta për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë është një nga vlerat themelore të një shoqërie demokratike, por në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje pjesëmarrësve në protesta që të ruajnë karakterin paqësor të tyre dhe të distancohen nga çdo veprim që cenon sigurinë e qytetarëve dhe të mos dëmtojnë bizneset private, shumica e të cilave është në mbështetje të tyre.

Duke pasur parasysh që në këtë sektor kanë investuar shumë sipërmarrës të ndershëm, shumë familje shqiptare kanë investuar kursimet e fëmijëve të tyre në emigracion, duhet që bashkërisht të mbrojmë investimet, sepse këto nuk janë pronë e një qeverie apo force politike.

Shqetësimet e studentëve janë dhe shqetësimet tona, pasi ky sektor ka nevojë për të rinj të kualifikuar që t’i shërbejnë kësaj industrie dhe jo të detyrohen që të emigrojnë jashtë vendit, por të qëndrojnë në vendin e tyre dhe t’i shërbejnë kësaj industrie, e cila siguron të ardhura për dhjetëra mijëra familje.

Zhvillimet e ditëve të fundit, veçanërisht pamjet e dhunës dhe pasigurisë që përcillen në mediat ndërkombëtare, rrezikojnë të ndikojnë negativisht në imazhin e vendit, në besimin e turistëve dhe në marrëdhëniet me operatorët e huaj, me të cilët kemi ndërtuar një partneritet të besueshëm, të cilët mbi të gjitha e kanë vlerësuar Shqipërinë për mikpritjen dhe sigurinë.

Dënojmë çdo përdorim të pajustifikuar apo disproporcional të forcës nga strukturat policore ndaj protestuesve dhe theksojmë se garantimi i rendit publik nuk mund të shërbejë si justifikim për cenimin e integritetit fizik, dinjitetit dhe të drejtave themelore të qytetarëve, dhe mbi të gjitha rrezikimin e jetës së protestuesve.

Unioni Turistik Shqiptar apelon për përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, e cila do të bënte të mundur uljen e gjakrave dhe natyrisht, në këtë rast Qeveria duhet të shtrojë mënyrën e dialogut. Por, edhe studentët duhet të nxjerrin përfaqësuesit e tyre, me të cilët të negociohet – Zëri i të rinjve duhet të dëgjohet me seriozitet dhe respekt nga institucionet shtetërore, në mënyrë që garantohet paqja sociale, siguria dhe vazhdimësia e zhvillimit ekonomik të vendit”

Burimi: tirananews.al

Të fundit Të gjitha