Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

SHBA jep dritën jeshile për Boeing 737-10, mbi 1,500 porosi të konfirmuara deri tani

SHBA jep dritën jeshile për Boeing 737-10, mbi 1,500 porosi të konfirmuara deri tani

UASHINGTON, 21 tetor /ATSH-DPA/ – Kompania amerikane “Boeing” mori dje aprovimin nga Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA) për avionin më të madh të familjes 737 MAX, modelin 737-10.

Ministri amerikan i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se ky aprovim u arrit pas disa vitesh verifikimesh dhe testimesh të detajuara, duke përfshirë mijëra orë fluturime provë për të konfirmuar sigurinë e avionit.

“Pas kontrolleve të gjera të sigurisë, përfshirë mijëra orë fluturime testuese, ekipi i FAA-së është gati të miratojë këtë avion të rëndësishëm për shitje”, u shpreh Duffy.

Ai e vlerësoi këtë si një arritje të konsiderueshme për industrinë prodhuese amerikane dhe për pozicionin e SHBA-së si një nga vendet kryesore në industrinë botërore të aviacionit.

Stephanie Pope, presidente dhe drejtuese ekzekutive e sektorit të avionëve për udhëtime civile të “Boeing”, bëri të ditur se më shumë se 30 klientë në mbarë botën kanë porositur modelin 737-10.

Deri më tani, janë regjistruar gjithsej 1,555 porosi për këtë avion.

Sipas saj, përfundimi i procesit të miratimit i hap rrugën kompanisë për të nisur dorëzimin e avionëve te klientët.

Modeli i ri ofron më shumë vende për pasagjerë, mundësi për të fluturuar në distanca më të gjata dhe kosto më të favorshme për çdo vend në avion.

Pope shtoi se miratimi përfundon procesin e certifikimit të familjes së avionëve 737 MAX, duke u dhënë kompanive ajrore më shumë mundësi për të zgjedhur avionë ekonomikë dhe të përshtatshëm për fluturime të ndryshme.

“Boeing” bën të ditur se modeli 737-10 do të ketë zakonisht nga 185 deri në 210 vende për pasagjerë dhe do të mund të përshkojë deri në 5,740 kilometra.

Kompania tha gjithashtu se, njësoj si avionët e tjerë të familjes 737 MAX, modeli i ri konsumon 20% më pak karburant dhe çliron 20% më pak dioksid karboni (CO₂), krahasuar me avionët e gjeneratës së mëparshme.

Miratimi i FAA-së është një hap i rëndësishëm për “Boeing”, pasi i lejon kompanisë të përparojë drejt shitjes dhe dorëzimit të këtij modeli te kompanitë ajrore. //a.i/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha