Pragu i rrezikut të varfërisë në Shqipëri është më shumë se dyfishuar gjatë gjashtë viteve të fundit, duke arritur afërsisht 29 mijë lekë (315 euro) në muaj për një person në vitin 2025.
Megjithatë, ndërkohë që niveli i të ardhurave që e vendos një individ në rrezik varfërie është rritur me shpejtësi, pensionet dhe pagesat e ndihmës ekonomike vazhdojnë të jenë shumë nën këtë nivel.
Gjatë gjashtë viteve, ky prag është rritur me 104.7%, ose rreth 15 mijë lekë në muaj. Rritja është përshpejtuar veçanërisht pas vitit 2022, kur kufiri i varfërisë ishte rreth 18,800 lekë në muaj, ndërsa në vitin 2024 kishte arritur në 27 mijë lekë.
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025, pensioni mesatar mujor i pleqërisë në qytet ishte rreth 20,100 lekë, ose rreth 9 mijë lekë më pak se kufiri mujor i rrezikut të varfërisë. Në zonat rurale, ku pensioni mesatar ishte rreth 12,300 lekë në muaj, diferenca arrinte në afro 16,800 lekë.
Një pensionist që jeton i vetëm dhe ka si burim të vetëm të ardhurash pensionin mesatar rezulton nën kufirin e rrezikut të varfërisë, si në qytet ashtu edhe në fshat.
Situata është edhe më e vështirë për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike. Sipas të dhënave të INSTAT, pagesa mesatare mujore për familjet përfituese ishte rreth 7,253 lekë në vitin 2025, shumë më poshtë se pragu prej 29,130 lekësh, i cili vlen vetëm për një person.
Për familjet me disa anëtarë, kufiri i rrezikut të varfërisë është edhe më i lartë, gjë që e thellon më tej diferencën me pagesat e mbështetjes sociale.
Rritja e kufirit nxjerr në pah distancën e madhe mes standardit relativ të jetesës dhe përfitimeve që ofrojnë skemat sociale.
Sipas metodologjisë së INSTAT, kufiri i rrezikut të varfërisë përcaktohet në masën 60% të medianës së të ardhurave të disponueshme të ekuivalentuara dhe është një tregues relativ që identifikon individët me të ardhura ndjeshëm më të ulëta se pjesa tjetër e popullsisë.
Në vitin 2025, shkalla e rrezikut të varfërisë ishte 19%, nga 19.2% një vit më parë. Treguesi mbeti pothuajse i pandryshuar.
Ndërkohë, shihet se pensionet dhe ndihma ekonomike vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme për ta kaluar kufirin statistikor të varfërisë, në rastet kur përbëjnë burimin e vetëm të të ardhurave.
Burimi: www.gazetatema.net










