Nafta e papërpunuar Brent kaloi të martën pragun e 111 dollarëve për fuçi, duke arritur nivelin më të lartë në pesë muajt e fundit, ndërsa tregtarët po peshojnë rreziqet e vazhdueshme gjeopolitike, përfshirë raportimet për sulme ndaj anijeve në Gjirin Persik. Tregjet globale të energjisë po ndikohen gjithashtu nga sulmet reciproke ndaj infrastrukturës së naftës dhe gazit nga Rusia dhe Ukraina, të cilat po e ndërlikojnë tendencën rritëse.
Së fundmi, dy cisterna nafte u përfshinë nga zjarri pasi goditën mina në ngushticën e Hormuzit, sipas agjencisë së lajmeve Fars, e cila citoi Gardën Revolucionare të Iranit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, konfirmoi megjithatë se bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së po vijojnë, me palët që po ndërmarrin përpjekje diplomatike pavarësisht tensioneve në rritje dhe shqetësimit për një rifillim të luftimeve. Ndërkohë, Moska ka shtuar intensitetin e ofensivës së saj diplomatike në Gjirin Persik.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Irani dhe Rusia po i ruajnë marrëdhëniet e tyre strategjike, duke i çuar ato në nivelin më të lartë në histori, deklarata që u bënë pas bisedimeve të tij me homologun rus Sergej Lavrov në Teheran.
Burimi: sot.com.al










