Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

Çmimet e naftës kapin 110 dollarë për fuçi, tregtarët peshojnë rreziqet e furnizimit nga Lindja e Mesme

Çmimet e naftës kapin 110 dollarë për fuçi, tregtarët peshojnë rreziqet e furnizimit nga Lindja e Mesme

Të martën në mëngjes, çmimet e naftës vazhduan të qarkullonin afër nivelit më të lartë të pesë muajve të fundit, teksa tregtarët po peshojnë rrezikun e sulmeve të reja iraniane në Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht se flukset e naftës bruto nga Gjiri Persik mbeten relativisht të larta.

Nafta bruto Brent, e cila shërben si referencë ndërkombëtare, po tregtohej rreth 110 dollarë për fuçi para hapjes së tregjeve evropiane, ndërsa nafta bruto amerikane WTI po tregtohej mbi 104 dollarë për fuçi për dorëzimin e muajit të ardhshëm.

Sipas strategëve të tregut të lëndëve të para të ING, çmimet e larta, megjithë furnizimet e bollshme, “tregojnë se tregu po përfshin në çmime një prim të konsiderueshëm rreziku, duke marrë parasysh paqëndrueshmërinë e situatës”. Për momentin, nuk ka indikacione se ky prim rreziku është gati të ulet.

Strategët shtuan se tarifat rekord të transportit detar me cisterna po rrisin kostot. Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e lejimit të shitjes së cisternave të sanksionuara, me qëllim rikthimin e tyre në tregun e ligjshëm, rritjen e kapaciteteve të transportit detar dhe uljen e kostove të furnizimit me naftë. Megjithatë, ata theksuan se mbetet e paqartë se sa do të rriteshin kapacitetet dhe sa shpejt kjo masë mund të ndikonte në uljen e çmimeve.

Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, i tha Fox News se flukset e naftës bruto nga Gjiri janë rikuperuar në rreth 80% të nivelit që kishin para luftës. Megjithatë, furnizimet me produkte të rafinuara të naftës përballen me kufizime më të mëdha.

Ndërkohë, çmimet spot të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Azi u rritën të hënën në 30,4 dollarë për milion njësi termike britanike, niveli më i lartë që nga dhjetori i vitit 2022. Këtë e raportoi Bloomberg, duke iu referuar tregtarëve.

Rritja vjen në një kohë kur Operacionet e Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) raportuan se një cisternë që transportonte LNG ishte sulmuar me armë zjarri nga një varkë e vogël pranë brigjeve të Jemenit të shtunën. Ngjarja ka shtuar shqetësimet për sigurinë e transportit të energjisë në rajon.

Edhe çmimet e gazit në Evropë po tregtohen pranë niveleve më të larta të viteve të fundit. Kontratat e së ardhmes për gazin natyror në bursën holandeze TTF, me dorëzim muajin e ardhshëm, ishin pak nën 88 euro për megavat-orë të martën në mëngjes, duke shënuar një rënie të lehtë nga niveli mbi 89 euro që ishte regjistruar pak para orës 06:00, sipas të dhënave të ICE.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha