Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Showbiz

Rob Jetten bëhet baba për herë të parë, kryeministri holandez ndan lajmin e gëzuar me partnerin

Rob Jetten bëhet baba për herë të parë, kryeministri holandez ndan lajmin e gëzuar me partnerin

Kryeministri holandez, Rob Jetten, dhe partneri i tij, Nicolás Keenan, po bëhen gati për të nisur një kapitull të ri në jetën e tyre. Çifti ka bërë me dije se pret fëmijën e parë në pranverën e vitit 2027, përmes një procesi që përfshin një nënë surrogate dhe një dhuruese vezësh.

Lajmin e gëzueshëm e ndau vetë Jetten përmes një postimi në Instagram, ku nuk i fshehu emocionet për ardhjen e vogëlushit. “Dikush shumë i veçantë është rrugës. Shihemi në vitin 2027, vogëlush”, shkroi ai, duke e shoqëruar mesazhin me simbole që lidhen me ardhjen e një foshnjeje.

Në postimin e tij, kreu i qeverisë holandeze shprehu gjithashtu mirënjohjen për dy gratë që po kontribuojnë në realizimin e dëshirës së çiftit për t’u bërë prindër. Ai falënderoi si dhuruesen e vezëve dhe nënën surrogate, ashtu edhe familjet e tyre, duke theksuar se pa ndihmën e tyre ky rrugëtim nuk do të ishte i mundur.

Detaje të tjera u bënë publike nga partia e tij, D66. Sipas saj, dy gratë janë mikesha holandeze të çiftit, të cilat kanë fëmijët e tyre dhe kanë vendosur t’i ndihmojnë pa përfitime financiare. Kjo është në përputhje me legjislacionin holandez, ku pagesa për surrogacinë është e ndaluar. Procesi është realizuar përmes teknikave të riprodhimit të asistuar, në përputhje me rregullat në fuqi.

Jetten është i fejuar me Nicolás Keenan, një lojtar hokeji me origjinë argjentinase. Dyshja kishte planifikuar të kurorëzonte lidhjen e tyre këtë verë, por vendosi ta shtynte ceremoninë pasi Jetten mori detyrën e kryeministrit.

Në moshën 39-vjeçare, politikani hyri në histori si kryeministri më i ri i Holandës, pas rezultatit të papritur të partisë D66 në zgjedhjet e zhvilluara një vit më parë.

Pavarësisht përgjegjësive të larta politike, Jetten ka planifikuar të shkëputet për disa ditë nga detyrat zyrtare pas lindjes, në mënyrë që të jetë pranë partnerit dhe foshnjës. Sipas partisë së tij, ai nuk ka në plan të marrë një leje prindërore afatgjatë.

Për çiftin, lajmi shënon një nga momentet më të rëndësishme personale, ndërsa pranvera e vitit të ardhshëm pritet t’i gjejë me një anëtar të ri në familje.

Burimi: bordo.al

Të fundit Të gjitha