Ministri i Financave, Petrit Malaj, thotë se heqja e taksës së qarkullimit nga nafta u bë pasi kishte një kërkesë të vazhdueshme, që kjo taksë të kalonte tek automjetet.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Malaj u shpreh se nga transferimi i kësaj takse tek taksat e automjetit, buxheti i shtetit do të ketë 50 milionë euro më pak të ardhura.
Taksa dhe buxheti i shtetit
Malaj theksoi se kjo është një taksë e konsiderueshme, me vlerë prej rreth 350 milionë euro në vit. Këto para shkojnë për infrastrukturën, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve. Megjithatë, sipas tij, shuma nuk mjafton për investimet që po realizohen.
Transferimi i kësaj shume tek automjetet u bë sipas një formule të vlerësuar me DPSHTRR dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ministri shtoi se jo të gjitha kostot janë transferuar tek automjetet, dhe vetëm kjo politikë e lë buxhetin e shtetit me 50 milionë euro më pak.
Makinat elektrike
Lidhur me makinat elektrike, Malaj nënvizoi se edhe këto automjete do të duhet të paguajnë taksë për amortizimin e infrastrukturës rrugore. Ai argumentoi se flota e mjeteve elektrike është dyfishuar në pesë vitet e fundit, prandaj është e drejtë që edhe ato të kontribuojnë. Sipas tij, niveli i taksës së automjeteve është në përputhje me atë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Burimi: abcnews.al










