TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Komisioni Europian ka vlerësuar pozitivisht progresin e Shqipërisë në përafrimin e legjislacionit për biznesin dhe shoqëritë tregtare me standardet e Bashkimit Evropian. Në raportin e vitit 2026, Shqipëria klasifikohet me nivel të mirë përgatitjeje në Kapitullin 6, ndërsa gjatë periudhës së raportimit është shënuar progres i mirë, sidomos në miratimin e ligjeve që rregullojnë veprimtarinë e shoqërive tregtare, regjistrimin e biznesit, transparencën financiare dhe auditimin.
Vlerësimi i Komisionit Europian përbën një zhvillim pozitiv për kuadrin ligjor të sipërmarrjes në Shqipëri, ndërsa ndryshimet e miratuara prekin drejtpërdrejt edhe fushën e veprimtarisë së Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), si institucioni përgjegjës për administrimin e Regjistrit Tregtar.
Sipas raportit, Shqipëria ka vazhduar përafrimin e legjislacionit kombëtar me direktivat evropiane që rregullojnë krijimin, funksionimin dhe organizimin e shoqërive tregtare.
Një nga konstatimet më pozitive është se rekomandimet e Komisionit Europian të vitit të kaluar për Kapitullin 6 janë zbatuar në masë të madhe.
Ndryshimet në regjistrimin e biznesit, pjesë e progresit të evidentuar
Ndryshimet në regjistrimin e biznesit, pjesë e progresit të evidentuar
Në analizën e detajuar të Kapitullit 6, Komisioni Europian evidenton ndryshimet në ligjin për regjistrimin e biznesit dhe në ligjin për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.
Këto ndryshime synojnë përafrimin me direktivat e Bashkimit Evropian për të drejtën e shoqërive tregtare, duke përfshirë rregullat për bashkimet, ndarjet dhe transformimet ndërkufitare të kompanive.
Përafrimi i këtij kuadri ligjor ka rëndësi për krijimin e kushteve që shoqëritë shqiptare të funksionojnë sipas standardeve të tregut evropian, si dhe për lehtësimin e veprimtarisë së bizneseve që operojnë në më shumë se një shtet.
Për Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndryshimet në legjislacionin e regjistrimit tregtar përfaqësojnë një komponent të rëndësishëm të procesit të integrimit evropian, pasi lidhen me mënyrën e regjistrimit, administrimit dhe publikimit të informacionit për subjektet tregtare.
Miratohet paketa për format evropiane të shoqërive tregtare
Një tjetër zhvillim i vlerësuar pozitivisht është miratimi i paketës ligjore që synon përafrimin e plotë me legjislacionin evropian të shoqërive tregtare.
Kjo paketë përfshin dispozitat për grupimet evropiane të interesit ekonomik, shoqëritë kooperative evropiane dhe statutin e shoqërisë evropiane.
Këto forma juridike janë pjesë e kuadrit të tregut të përbashkët evropian dhe krijojnë mundësi për organizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe veprimtarisë së shoqërive në nivel ndërkufitar.
Komisioni Europian e evidenton miratimin e kësaj pakete si pjesë të progresit të mirë të Shqipërisë në Kapitullin 6.
Progres edhe në kontabilitet, transparencë dhe auditim
Progres edhe në kontabilitet, transparencë dhe auditim
Raporti vlerëson gjithashtu përparimin në përafrimin e legjislacionit për kontabilitetin, raportimin financiar, transparencën dhe auditimin ligjor.
Në korrik 2026, Shqipëria miratoi ligjin për kërkesat e transparencës, si dhe ndryshimet në ligjin për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare, me synimin për t’i afruar këto rregulla me kërkesat e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, Bordi i Mbikëqyrjes Publike miratoi tri rregullore në fushën e auditimit ligjor, të cilat lidhen me kontrollin e cilësisë, masat disiplinore dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
Këto zhvillime synojnë forcimin e besueshmërisë së raportimit financiar dhe transparencës së shoqërive tregtare.
Objektivi i radhës, lidhja e Regjistrit Tregtar me sistemin evropian
Objektivi i radhës, lidhja e Regjistrit Tregtar me sistemin evropian
Komisioni Europian thekson se Shqipëria duhet të vazhdojë punën për avancimin me digjitalizimin e procedurave të biznesit.
Në mënyrë të veçantë, kërkohet përmirësimi i procedurave online dhe përdorimit të nënshkrimeve elektronike, duke siguruar që këto shërbime të jenë të aksesueshme edhe për individët dhe bizneset jorezidente në Shqipëri.
Një nga objektivat kryesore është ndërlidhja e Regjistrit Tregtar shqiptar me sistemin evropian të regjistrave të biznesit deri në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ky proces do të mundësonte ndërveprimin e regjistrave dhe shkëmbimin e informacionit për shoqëritë tregtare në përputhje me mekanizmat evropianë.
Komisioni vlerëson progres të mirë edhe në politikat për sipërmarrjen
Komisioni vlerëson progres të mirë edhe në politikat për sipërmarrjen
Vlerësimet pozitive për biznesin nuk kufizohen vetëm te Kapitulli 6.
Në Kapitullin 20, që trajton politikat e sipërmarrjes dhe industrisë, Komisioni Europian konstaton gjithashtu se Shqipëria ka një nivel të mirë përgatitjeje dhe ka realizuar progres të mirë gjatë periudhës së raportimit.
Ndër zhvillimet e evidentuara janë ndryshimet në Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve, me zgjatjen e saj deri në vitin 2030, si dhe përafrimi i legjislacionit me direktivën evropiane për pagesat e vonuara.
Në tërësi, raporti i vitit 2026 evidenton përparim të rëndësishëm në përafrimin e legjislacionit shqiptar të biznesit me atë evropian. Sfida e ardhshme mbetet zbatimi efektiv i ligjeve të miratuara, forcimi i kapaciteteve institucionale dhe integrimi i shërbimeve të regjistrimit tregtar me sistemet e Bashkimit Evropian.
/e.i/j.p/
Burimi: ata.gov.al










