Pas pesëmbëdhjetë vitesh nga vrasja e Diana Kastratit, ngritja e aktakuzës dhe kërkesa për zhvillimin e gjykimit në mungesë ndaj Adnan Jasharit kanë rikthyer shpresën se rasti do të përfundojë në institucionet e drejtësisë.
Vrasja dhe akuzat ndaj Adnan Jasharit
Diana Kastrati u vra në maj të vitit 2011, në një udhëkryq në Prishtinë, pasi u qëllua nga ish-partneri i saj, Adnan Jashari. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që procedura gjyqësore ndaj tij të zhvillohet pa praninë e të akuzuarit.
Ngjarja e rëndë ndodhi 22 ditë pasi Diana kishte kërkuar masë emergjente mbrojtjeje nga Gjykata Komunale në Prishtinë, duke pretenduar se ishte kërcënuar ajo dhe vajza e saj. Kërkesa nuk ishte shqyrtuar në kohë, ndonëse ligji parashikonte që gjykata të merrte vendim brenda 24 orëve.
Në aktakuzë thuhet se Jashari e kishte qëlluar dy herë me armë zjarri, duke e goditur në qafë, në kryqëzimin e rrugëve “Haxhi Zeka” dhe “Xheladin Kurbaliu” në Prishtinë.
Thirrja e gjykatës dhe reagimi i avokatit
Gjykata ka publikuar gjithashtu një thirrje për Adnan Jasharin, duke i kërkuar të dorëzohet dhe të paraqitet para saj, në mënyrë që procesi të zhvillohet në praninë e tij.
“Konform nenit 303 paragraf 8 të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata i bën thirrje të akuzuarit Adnan Jashari të dorëzohet dhe të paraqitet sa më parë pranë kësaj gjykate, që kjo çështje penale të zhvillohet në prezencë të tij. Gjykata i bën thirrje çdo personi që ka informacion policisë, me qëllim të sigurimit të prezencës së të akuzuarit Adnan Jashari në këtë çështje penale”.
Avokati Ardian Bajraktari e ka cilësuar nisjen e procedurës një satisfaksion për familjen dhe të afërmit e Diana Kastratit.

Sipas tij, edhe pse çështja është shoqëruar ndër vite me vonesa të shumta, zhvillimi i gjykimit krijon pritshmëri që drejtësia të shprehet.
“Ngritja e aktakuzës dhe fillimi i procesit gjyqësor përmes gjykimit në mungesë për vrasjen e të ndjerës Diana Kastrati, përbëjnë një satisfaksion për familjen dhe të afërmit e saj.
Ndonëse ky proces është përcjellë me shumë vonesa, megjithatë është një shpresë që drejtësia ta thotë fjalën e saj, sado e vonuar që është ajo”, ka deklaruar Bajraktari.
Gjykimi në mungesë dhe ekstradimi
Avokati ka sqaruar se ligjet në fuqi e lejojnë gjykimin në mungesë për veprën penale që i atribuohet të pandehurit.
“Për veprën penale të vrasjes së rëndë, me të cilën akuzohet i pandehuri, legjislacioni mundëson zhvillimin e gjykimit në mungesë”, ka theksuar ai.
Sa i përket mundësisë së ekstradimit, Bajraktari ka shpjeguar se kjo procedurë varet nga rregullat e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe nga vendimi i shtetit ku ndodhet i pandehuri.
“Ndërkaq, çështja e ekstradimit të tij i përket fushës së bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe realizimi i tij varet nga vullneti dhe vendimmarrja e shtetit në të cilin ndodhet i pandehuri”, ka deklaruar Bajraktari.
Burimi: www.albeu.com










