Një 49-vjeçar arrestohet në Tiranë me pistoletë dhe municion
Një 49-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi u kap në Rrugën e Elbasanit duke transportuar një pistoletë me municion, me motomjet.
Në kuadër të operacionit të koduar “Eksponenti”, policia sekuestroi gjithashtu një jelek antiplumb në banesën e tij. Sipas policisë, i arrestuari ka precedentë të theksuar për krime kundër jetës dhe armëmbajtje pa leje. Ai dyshohet se do ta trafikonte armën e zjarrit.
Operacioni “Eksponenti”
“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Eksponenti”.
Arrestohet në Rrugën e Elbasanit, duke transportuar armë zjarri, me motomjet, një 49-vjeçar me precedent të theksuar për krime kundër jetës dhe për armëmbajtje.
Sekuestrohen 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, jeleku antiplumb që i arrestuari kishte në banesë, si dhe motomjeti dhe celulari i tij.
Arrestimi dhe kontrollet
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara gjatë punës operative, finalizuan operacionin e koduar “Eksponenti”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. D., 49 vjeç, banues në Tiranë.
Motomjeti me të cilin lëvizte ky shtetas, u ndalua për kontroll në Rrugën e Elbasanit.
Gjatë kontrollit në të, u gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, të cilën dyshohet se shtetasi E. D. do ta trafikonte.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjet 1 jelek antiplumb.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, shkruan Policia.
Burimi: top-channel.tv










