Shpërthimi tragjik në Elbasan, ku humbën jetën dy persona dhe u dëmtuan 10 të tjerë, ka rikthyer në vëmendje rrezikun nga përdorimi i bombolave të gazit në pallate. Inxhinieri i ndërtimit Erion Softa kërkon ndryshimin e rregullave për përdorimin e tyre, duke paralajmëruar se një bombol gazi mund të ketë të njëjtin efekt si disa kilogramë tritol.
Qëndrimi i inxhinierit
I ftuar në emisionin “Studio Live”, Softa tha se pallati pesëkatësh në Elbasan ishte i rikonstruktuar dhe se dëmtimet nuk erdhën si pasojë e ndërhyrjeve në strukturën e godinës, por nga një pakujdesi. Sipas tij, ndërtesat nuk janë projektuar për t’u përballur me shpërthime të tilla, ndaj kërkohet një zgjidhje për mënyrën se si tregtohen dhe përdoren bombolat e gazit.
Inxhinieri kërkoi që përdorimi i bombolave në objekte të tilla të ndalohet ose të vendosen rregulla të qarta sigurie. Ai theksoi se tregtarët duhet të ofrojnë vetëm bombola të certifikuara, ndërsa përdoruesit duhet t’i nënshtrohen kontrolleve në vend për mënyrën e instalimit dhe përdorimit të tyre.
“Mendoj që është një bazë ligjore për përdorimin e bombolave të gazit që duhet rregulluar. Objektet nuk janë ndërtuar për të mbajtur shpërthime të tilla. Nuk kemi të bëjmë me dëmtimin e strukturës së pallatit për shkak të ndërhyrjes, por për shkak të një pakujdesie që duhet të marrë një zgjidhje. Bombolat e gazit nuk mund të shiten normalisht, nuk mund të përdoren në ambiente të përbashkëta. Duhet të ndalohet përdorimi i tyre në objekte të tilla ose të vendoset një protokoll i qartë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më. Bombolat e gazit duhet të largohen nga përdorimi. Ata persona që i tregtojnë duhet t’i kenë të certifikuara dhe përdoruesit duhet t’i nënshtrohen një verifikimi në vend për mënyrën si përdoret. Një bombol e tillë ka të njëjtin efekt me disa kilogramë tritol”, tha Softa.
Shkaku dhe pasojat
Shpërthimi në Elbasan dyshohet se u shkaktua nga rrjedhja e gazit në tubat që lidhnin një bombol 15-litërshe, të vendosur në katin e parë të pallatit, me apartamentin e 69-vjeçarit në katin e tretë. Si pasojë humbën jetën 69-vjeçari Hamit Ibra dhe fqinja e tij, 82-vjeçarja Hatixhe Berisha. Pallati është shpallur i pabanueshëm dhe pritet të shembet, ndërsa 15 familje kanë mbetur pa strehë.
Burimi: tirananews.al










